Klarens Sedorf është një rekordmen, pasi ka arritur të fitojë Ligën e Kampioneve me Ajaksin, Realin e Madridit dhe Milanit. Dy klubet e para përballen së bashku për të siguruar kalimin në fazën çerekfinale, ndërkohë që holandezi së fundmi ka folur në lidhje me situatën që po kalojnë madrilenët.
Largimi i Kristiano Ronaldos ka lënë gjurmë te fituesit e Ligës së Kampioneve sezonin e shkuar dhe për Sedorf duhet kohë që të zëvendësohet portugezi. “Te Reali kanë nevojë të gjejnë ekuilibrin pas largimit të Kristiano Ronaldos. Nuk besoj se kanë shumë për të ndryshuar, por nuk është aq e lehtë pas largimit të një lojtari si ai”, shprehet ish-mesfushori për “Cadena Ser”.
Gjithsesi ai thekson se duhet që reali të shohë përpara, pasi nuk kemi të bëjmë një sezon katastrofë: “Duhet parë nga e ardhmja, pasi Reali ende është një ekip i madh. Janë të tretët në kampionat, jo të shtatët. Nuk mund të flasim një sezon katastrofë, duke llogaritur të gjitha vështirësitë aktuale”.