Federata Shqiptare e Futbollit po bën përgatitjet e fundit për lançimin e kursit të skautizmit, që do të organizohet për herë të parë dhe do të zgjerojë gamën e kurseve të edukimit për profesionistët e futbollit.
Ky kurs do t’i ofrohet të gjithë atyre që punojnë apo duan të punojnë me klubet si zbulues talentesh dhe synon t’u ofrojë atyre mbështetjen dhe njohuritë e nevojshme stërvitore dhe përgatitore për të zhvilluar aktivitete në lidhje me vëzhgimin, analizën, vlerësimin dhe skautimin e lojtarëve dhe ekipeve.
Në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), përfaqësues të Departamentit Teknik dhe Sektorit të Edukimit kanë organizuar një vizitë treditore në Koverçano me qëllim ndjekjen e bllokut të parë të kursit të skautizmit të FIGC.
Qëllimi i vizitës ishte për të mbledhur sa më shumë informacion mbi kursin dhe për shkëmbimin e eksperiencave me homologët italianë për të përgatitur sa më mirë kurrikulën e këtij programi edukativ për profesionistët e futbollit. Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova dhe përfaqësuesit e këtij sektori Erion Meta dhe Evia Kumria ndoqën nga afër punimet e kursit në Koverçano dhe patën mundësi të diskutonin me zyrtarët e Sektorit Teknik të Federatës Italiane për programin mësimor.
Kursi për skautizmin është më i fundit i një sërë programesh formimi për profesionistët e futbollit që ofron Federata Shqiptare e Futbollit, që ka investuar shumë në edukimin e trajnerëve, me licenca të të gjitha niveleve të UEFA-s, video-analistëve, trajnerëve të përgatitjes atletike, fizioterapistëve, ndërsa pak javë më parë organizoi edhe kursin UEFA B Goalkeeping për trajnerët e portierëve.
Pas konsultave me homologët dhe specialistët e edukimit në muajt në vazhdim, FSHF do të startojë brenda vitit kursin e skautizmit, teksa ata që do të përfundojnë kursin do të pajisen me një licencë nga FSHF për ushtrimin e këtij profesioni.