Sarri reagon për fjalët e Conte-s: Nuk kam dëgjuar asgjë, isha në paqe me gruan time

Juventusi do e nisë aventurën në “Champions League” në një transfertë të vështirë, pasi do të përballet ndaj Atletico Madrid. Objektivi i bardhezinjëve është për të arritur sa më larg në këtë kompeticion, ndërsa drejtimin e ekipit e ka marrë trajneri Sarri.

Ky i fundit ka pasur edhe një debat në distancë me Antonio Conte-n gjatë ditëve të fundit, sa i përket ndeshjeve të kampionatit. Më shumë i stisur nga ana e mediave, pasi Sarri justifikoi paraqitjen e keqe të Juventusit në humbjen ndaj Fiorentinës, duke thënë se e gjitha kjo erdhi për shkakun e orarit që u programua keq. Më pas do të vinte edhe reagimi i Contes, trajnerit të Interit, që u shpreh se Sarri ishte në anën e më të mirëve dhe duhet të heshte në një farë mënyre.

“Unë nuk mendoj asgjë, sepse nuk kam dëgjuar asgjë. Isha duke festuar në paqe më gruan time, pasi kishte datëlindjen. Unë nuk mendoj asgjë, sepse fillimisht u raportua diçka e gabuar te Conte. Unë bëra një koment në lidhje me atë që na përket ne. Fola për diferencat me Juventusit ndaj Napolit dhe te ajo ndeshje me Fiorentinën. Unë thashë se ka shumë diferencë që të luash në orën 21:00 dhe të luash në orën 15:00. Po i referohesha ndeshjeve tona. Nuk kisha asnjë të përfshirë dhe Antonio u përgjigj kështu, pasi iu raportua në mënyrë të gabuar”, reagoi Sarri në konferencën para ndeshjes me Atleticon. /Sport Ekspres/