“San Siro” kujton netët magjike, Pirlo e ndez për herë të fundit

“Nata e mjeshtrit” ka shënuar fundin e karrierës futbollistike për një gjeni të futbollit. Së bashku, për ta nderuar, yje pa fund që i ka pasur shokë skuadre

San Siro ka vite që nuk sheh më lojtarë të klasit botëror që të zbresin në fushë çdo javë, por të paktën për një mbrëmje tifozët e Milanit kanë kujtuar kohërat e arta, kur dominonin Europën dhe shihnin spektakël çdo javë. Mbrëmë erdhi lamtumira e një prej futbollistëve më të mirë italianë të të gjitha kohërave, sepse Andrea Pirlo u tërhoq nga futbolli i luajtur dhe ceremonia ishte madhështore.

Nuk mund të ndodhte ndryshe: luhej një miqësore në atë që quhet “La Scala” e futbollit, stadiumi plot dhe fusha e mbushur me legjenda. Nuk mund të mungonte askush në mbrëmjen e Pirlos, atij që ka fituar 6 kampionate të Serisë A, dy Liga Kampionesh dhe një Kupë Bote, ndër të tjera. Një futbollist që i dha një kuptim të ri rolit të regjisorit në fushë, përzier me rolin e fantazistit, me një klas jashtë normales. Për ta nderuar kishin fluturuar për në Milano emra nga e gjithë bota: nga Del Piero te Toti, nga Bufon te Vieri, nga Lampard te Nesta, nga Shevçenko te Sedorf e me radhë. U luajt një miqësore me dy skuadra plot futbollistë legjendarë dhe natyrisht nuk mund të kishte fitues. Një barazim 7-7 ku nuk shënoi Pirlo, por në karrierën e vet gjithnjë bënte të shënonin të tjerët. 45 minuta me Yjet e Bardhë për fenomenin e lindur në Breshia, 45 minuta me yjet blu. Kur ke Pirlon në skuadër, është e vështirë të humbasësh.

Shënoi edhe Sheva, i cili e gjeti golin pas vetëm 57 sekondash në fushë dhe aq u desh që stadiumi të kalonte në delir, si në netët magjike kur ylli ukrainas shënonte pa fund, me një elegancë të rrallë në futboll. Shënuan të gjithë: Kualiarela, Kasano, Sedorf, Broki, Pato dy gola, Vieri, Toni, Matri dhe në fund, qershia mbi tortë, 3 gola nga Pipo Inzagi, i cili aq shumë gola ka shënuar falë pasimeve të Pirlos në karrierë. Inzagi golin e tretë ia shënoi Bufonit, edhe ai shumë i duartrokitur në San Siro.

Në minutën e 81-të Pirlo doli, me gjithë stadiumin në këmbë, për t’i lënë vendit të birit Nikolo. Një natë magjike, për ëndërrimtarë që shpresojnë të shohin së shpejti lojtarë si Pirlo në San Siro. “E ardhmja? Kam plot kohë për të menduar ç’do të bëj, sapo e kam lënë futbollin dhe për momentin nuk kam shumë mall. Megjithatë, në jetë vetëm futbollin kam pasur”, tha Pirlo pas ndeshjes.

“Nata e mjeshtrit”

White Star – Blue Star    7-7

White Star: Abiati, Dida, Bonuçi, Kielini, Kostakurta, Favali, Jankulovski, Maldini, Nesta, Odo, Simiç, Zambrota, Zaneti, Baronio, Kamoranezi, Gatuzo, Lampard, Leonardo, Pepe, Pirlo, Rui Kosta, Verrati, Vidal, Roberto Baxho, Del Piero, Di Natale, Iakuinta, Inzagi, Matri, Pato, Ronaldo “Fenomeni”, Totti. Trajnerë: Konte, Ançeloti

Blue Star: Bufon, Storari, Adani, Barzali, Bonera, Kafu, Diana, Ferrara, Kaladze, Materaci, Serxhinjo, Abate, Albertini, Ambrozini, Broki, De Rosi, Diamanti, Markizio, Pirlo, Sedorf, Borriello, Kasano, Kualiarela, Shevçenko, Tevez, Toni, Ventola.

Trajnerë: Alegri, Donadoni, Tasoti

https://www.youtube.com/watch?v=moQ_ZioO7-E

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *