Saliaj: Dinamo nuk dorëzohet, gjejmë investitorë seriozë

Administratori i bluve: Durimi na është sosur, por nuk tërhiqemi derisa të gjejmë investitorë seriozë për këtë klub legjendar

Gjergj Vyshka

17 shkurt 2011. Agjencia e Shërbimit të Sporteve, që asokohe drejtohej nga Klodiana Shala, do të pushtonte kompleksin Dinamo, ndërsa blutë do të nxirreshin jashtë nga shtëpia, ku qëndronin prej gati 23 vitesh. Nis apokalipsi tek Dinamo, sepse pas mbijetesës në Superiore, sezoni i fundit që blutë kanë luajtur në elitën e futbollit shqiptar ka qenë 2011-2012, do të tërhiqej presidenti Besnik Sulaj. E që pas asaj kohe, Dinamo do të ishte bujtëse në shtëpinë e saj, ndërsa do të bënte stërvitje në orare të papërshtatshme, do të paguante qira në një fushë që ishte e saj dhe për më tepër do të degdisej të luante në Pezë-Helmës që nga shkurti 2015. 18 herë kampionia e Shqipërisë (titulli i fundit 2009-2010), 13 Kupa të Shqipërisë (e fundit 2003-2004) dhe dy Superkupa të Shqipërisë (e fundit 2008) lëngon si askush tjetër. Të gjithë historinë e këtyre gjashtë viteve të tmerrshme, ndërsa është premtuar gjetja e donatorëve serioz deri në fund të vitit, e rrëfen për Sport Ekspres, administratori i bluve, Ismet Saliaj.

U bënë gjashtë vjet që Dinamo lëngon, atëherë çfarë ndodh aktualisht me skuadrën?

Çfarë duhet të ndodhë më? Një skuadër që nuk ka shtëpi, që stërvitet në një fushë në të cilën është investuar më 2010-ën, por që nuk është bërë më asgjë as rulim e as krehje, por që ka marrë fund. Nuk ka as dhoma zhveshje dhe baza materiale e stërvitjes gjendet në makinën e trajnerit. Që nuk ka një dhomë që të lajë fanellat e veta. Lëngon dhe mbijeton me shumë vështirësi, por dëshira jonë dhe për të mos e shuar emrin e Dinamos na bënë që të vazhdojmë. Jemi në një ambient që duhet të ishte i yni, por një herë e merr Ministria, një herë Bashkia dhe një herë Federata e Futbollit dhe ka mbetur si mall pa zot. Por që nuk duhet të ndodhë kështu me Dinamon.

Cili është statusi i klubit Dinamo?

Aktualisht funksionon si shoqëri jo fitimprurëse dhe që mbahet me donacione private, ndërsa harxhohen gati 15-20 milion lekë për të mos e lënë Dinamon të degradojë.

Kur ka qenë hera e fundit që shteti ka investuar për Dinamon?

Më 2004-ën është bërë ndarja e fundit nga shteti, ndërsa Ministria e Brendshme ia kaloi shoqërisë “Tajvan SH.P.K”. E që nga ajo kohë gjithçka ka qenë me mbështetjen financiare të Besnik Sulajt dhe Avni Braçes.

Mirëpo në maj 2011, presidenti Besnik Sulaj pat dhënë dorëheqjen, atëherë nga kush financohet Dinamo aktualisht?

Është e vërtetë që në maj 2011 ka dhënë dorëheqjen, por aktualisht gjithçka vjen nga paratë e tij, ndërsa aktualisht ushtron funksionet tek Dinamo dhe zëvendëspresidenti Braçe. Përpiqemi në vështirësi maksimale për ta mbajtur Dinamon që të mos zhduket.

Sa është mundësia e afrimit të donatorëve të tjerë?

Ne jemi duke u përpjekur maksimalisht që të afrojmë donatorë seriozë dhe që ta mbajnë gjallë Dinamon. Jemi në kontakte të vazhdueshme me dy-tre të tillë dhe mendoj se deri në fund të vitit do ta kemi një zgjidhje që Dinamo të mos ikë e të zhduket. Ishte shumë e lehtë që ta linim këtë ekip të shkonte në Kategorinë e Dytë, ndërsa ka mbijetuar me vështirësi në të Parën. Por do të ishte po aq e vështirë që ky ekip legjendë të vinte lart. Kështu që do të mundohemi me operatorë seriozë për ta ringritur Dinamon.

Së fundi, nuk u është sosur asnjëherë durimi për ta lënë Dinamon, sepse njeriu ka një moment e thotë: Mjaft më…

Sigurisht që ka pasur. Por jemi nisur nga fakti që Dinamo nuk duhet të zhduket dhe duhet të mbesë si një ekip me histori të madhe në futbollin shqiptar. Në kushte të tjera gjithkush do ta kishte lënë, por ne nuk tërhiqemi derisa të gjejmë donatorë serioz për këtë Dinamo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *