Ylli egjiptian po zhvillon një sezon fantastik me Liverpuli dhe po tërheq vëmendjen e të gjithë klubeve të mëdha evropiane. Reali një prej tyre
Mo Salah është padiskutim lojtari më i mirë këtë sezon në Premier. 25-vjeçari ka mahnitur të gjithë me formën e tij dhe çdo top që prek, duket se shndërrohet në gol. Kjo formë e egjiptianit e ka parë atë të jetë në krye të golashënuesve në Premier në sezonin e tij të parë më Liverpulin. Salah ka lënë mbrapa emra të mëdhenj si Aguero apo Kejn, të cilët kanë qenë liderët e Premier Ligës sezonet e shkuara. Por ky vit duket se ka vetëm një lojtar. I ardhur nga Roma për vetëm 30 milionë paundë, vlera e Salah ka kapur majat dhe çmimi i yllit egjiptian në treg kap vlerën e 140 milionë paundëve. 36 gola në 41 takime për Liverpulin janë arsyeja kryesore e kësaj rritjeje çmimi, por të kuqtë nuk kanë ndërmend të privohen nga shërbimet e tij. Në “Anfield” kanë filluar që tani të mendojnë për kundërpërgjigjet ndaj gjigantëve evropiane. Një nga skuadrat e interesuara për Salah janë kryeqytetasit spanjollë, Real Madrid. “Los Blanoc” janë një nga ekipet më të pasura në Evropë dhe presidenti Perez mund të sjellë në “Santiago Bernabeu” cilindo lojtar që dëshiron.
Tek Liverpuli mbizotëron frika nga një largim i mundshëm i sulmuesit egjiptian dhe në rast se kjo gjë ndodh, do të ishte shuplaka e dytë për tifozët e kuq. Pas largimit të Kutinjos, transferimi i Salas drejt një skuadre tjetër do të ishte i dhimbshëm për tifozët e Liverpulit. Por bordi drejtues i të kuqve nuk e mendon largimin e 25-vjeçarit, të paktën këtë merkato vere. Salah nuk ka bërë ende një vit që nga koha kur u transferua tek Liverpuli dhe një largim i mundshëm i tij duhet të prese dhe disa kohë. Vetë sulmuesi egjiptian është munduar disa herë t’i japë fund njëherë e mirë thashethemeve që thuhen për të, por kur bëhet fjalë për një ekip si Reali i Madridit, gjithçka mund të ndodhë. Rasti i Salasë është i ngjashëm me Gareth Bejlin. Sulmuesi uellsian kishte të njëjtin impakt tek Totenhami dhe kur Reali e deshi, e mori. Të gjithë këtë histori për një transferim të mundshëm të Salasë drejt Realit e ka nisur patrioti i këtij të fundit, Mido. Ish-sulmuesi i Totenhamit tha në fillim të sezonit se Salah do të ikë drejt Real Madridit në verë dhe mediat britanike nuk kanë ndaluar që nga ajo kohë. Për momentin, nuk ka asnjë gjë konkrete as nga klubi i Liverpulit, as nga Reali i Madridit, por një gjë është e sigurt. Salah do të jetë lojtari më i kërkuar në merkaton e verës.