Raheem Sterling i befasoi të gjithë duke u larguar nga Manchester City dhe nënshkroi te Chelsea muajin e kaluar. Sterling veshi fanellën e qytetarëve për shtatë vite dhe pakkush mund ta priste që ky 27-vjeçar të largohej nga Etihad këtë verë dhe të nënshkruante për një klub rival.
Në fund, Sterling nënshkroi kontratë me skuadrën e Chelseat deri në verën e vitit 2027 dhe Manchester City arkëtoi gati 60 milionë euro nga shitja e tij, që është një marrëveshje shumë e mirë për ta. Megjithatë, duket se as vetë Sterling nuk e priste të largohej në mënyrë të tillë nga klubi për të cilin luajti për shtatë vite.
Në një intervistë për Sky Sports, Sterling pranoi se ai nuk u largua nga City në një mënyrë shumë të bukur dhe se ishte shumë i zemëruar që klubi e trajtoi atë në një mënyrë të tillë dhe thjesht e detyroi të largohej.
“Të gjithë duan të ndihen të nevojshëm dhe kështu është në futboll. Kur një lojtar me gjithë zemër, sakrifikon ditëlindjet e disa fëmijëve të tu dhe më pas ata të trajtojnë ty në një mënyrë të tillë, është vërtet zhgënjyese. Unë isha vërtet i zemëruar për këtë, por tani është një gjë e së kaluarës për mua dhe dua të fokusohem vetëm te Chelsea”, tha Sterling. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/