Kukësi arriti që të fitonte ndeshjen ndaj Laçit me përmbysje në shifrat 3-1, duke e rimarrë kreun e Superiores që më herët i përkiste Tiranës. Një kalendar i vështirë është për verilindorët që do të shkojnë në transfertën e Ballshit dhe më pas do të luajnë kundër bardhebluve në ndeshjen direkte.
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, shprehet se presioni është i gjithi mbi veten dhe se Kukësi nuk sheh askënd tjetër. Ndërsa kur flitet për takimet e radhës, lojtarët e dinë më së miri rrugën që kanë marrë.
“Presioni është mbi veten dhe nuk merremi me askënd tjetër. Vendi i parë do të ndërrohet shumë herë derisa të shkëputemi. Për momentin nuk e kemi marrë këtë shkëputje, jemi vetëm një pikë larg. Tani kemi dy ndeshje shumë të vështira që na presin, por ne jemi të aftë për t’i përballuar. Çunat e dinë rrugën se ku janë futur të fitoreve dhe duhet të jemi me këmbë në tokë, jo euforik. Pastaj rezultatet do të vijnë”, ka thënë Safet Gjici. /Sport Ekspres/