Transferimi i Armando Sadikut nga Legia e Varshavës te Levante në Spanjë padiskutim që ishte një nga surprizat e fundit të merkatos dimërore sa i përket futbollistëve shqiptarë nëpër botë. Por, nëse te Legia e dinin që kjo do të ndodhte dhe ishin përgatitur, vetë sulmuesi befasoi disi pasi do të deklaronte se do të provonte shanset në Poloni, pas një faze ku në 17 ndeshje shënoi 2 gola. Shumë pak, edhe pse shanset iu dhanë, të paktën sipas medieve polake, mjaftueshëm për të treguar vlerat. Përpos kësaj, bomberi kuqezi, në deklaratën e dhënë pas kalimit te Levante, do të thoshte se “ndihej një Ferrari në garazh”. Një fjali që nuk është pritur mirë nga Legia dhe sidomos nga gazetarët polakë, mes tyre opinionisti Kriztof Stankovski, që në shkrimin e tij për “sport.onet.pl” ka ironizuar dhe kritikuar ashpër fjalët e shqiptarit.
Madje, në shkrimin e tij ai ka përmbledhur praktikisht rendimentin e të huajve që kanë kaluar te Legia Varshavës, duke thënë se “smogu që kalon në qytet i bën keq mendjes së tyre, ndoshta atyre lojtarëve që nuk qëndrojnë dot larg shtëpisë. Sadiku tha se ishte Ferrari në garazh? Ndoshta Ferrari duhet të indinjohet, të padisë, dhe të kërkojë ndjesën e futbollistit shqiptar për këtë krahasim, ose ndoshta pas saj fshihet rivali Lamborghini, që e ka paguar të thotë ashtu… Sadiku pati shanset e tij, duke luajtur 17 ndeshje, por shënoi vetëm dy gola. Sadiku paguhej 35 mijë euro në muaj dhe shfaqej në qytet vetëm ditën e rrogës, ashtu si shumë të huaj të tjerë, që sa herë kanë dështuar, ia kanë vënë fajin trajnerin”, shkruan opinionisti, duke mbyllur: “Fakti që këta lojtarë ankohen se kanë presion, ka kritika në drejtim të tyre dhe kjo i detyron të mos japin, ndoshta është gënjeshtra më e madhe, sepse kanë pasur shanset”.