Nga Klaudio Ndreca
Laçi ka kundërshtarin më të lehtë në letër në krahasim me Kukësin dhe Teutën, që do të ndeshen përkatësisht ndaj Wolfsburgut dhe Granadas në turin e dytë të “Europa League”. Kurbinasit do të kërkojnë vazhdimin e ëndrrës dhe përballja në shtëpi kundër skuadrës izraelite nuk është e pamundur për t’u fituar.
Në prononcimin para ndeshjes, trajneri Yossi Aboksis ka shprehur gjithë frikën e tij për këtë transfertë. Duke i’u referuar edhe humbjes së Betar Jerusalem ndaj Teutës, tekniku i Hapoel Beer Sheva vendosi theksin në faktin se ekipet izraelite e kanë të vështirë përballjen me skuadrat shqiptare.
“Ne nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur, pasi kishim ndeshjen me Maccabi Haifa vetëm dy ditë më para. Do të luajmë në transfertë dhe kjo është më pak e mirë për ne. Megjithatë jemi të përgatitur për të luajtur ndaj një kundërshtari të fortë. Betar Jerusalem kaloi gjithashtu një periudhë të vështirë pas përballjes me Teutën. Kjo tregon saktësisht sesa të vështirë e kanë ekipet izraelite me ato në Shqipëri”, tha Aboksis. /Sport Ekspres/