Anton Cicani
“Dashuria për legjendën nuk mbaron kurrë… sikur edhe bota të përmbyset!”. “Sa bukur flisni ju artistët”, të vjen të thuash! Nuk jemi te “Zonja nga Qyteti”, por një gjë është e sigurt. Personi ose personat që kanë ende guximin të shkruajnë të tilla mesazhe në një faqe publike të klubit të Partizanit, pasi kanë shkatërruar një sezon plot ëndrra dhe pritshmëri, meritojnë që të quhen “Koçi” (personazhi i filmit shqiptar). Në kufi të humorit, ndoshta duke “cikur” sarkazmën. Dikush duhet t’i thotë atij që e ka shkruar këtë fjali se është momenti më i mirë që të heshtin të gjithë dhe të dëgjojnë atë që kanë për të thënë tifozët, të vetmit të cilëve u lejohet ta thonë apo shkruajnë atë mesazh.
E ndërsa nuk e keni kuptuar se po flisni për një klub që në të gjithë shtrirjen gjeografike të Shqipërisë numëron 1/3-n e popullsisë, atëherë ndoshta ju duhet të bëni një ripërsëritje të historisë. Të vjen të qeshësh, kur e lexon, por të vjen edhe të qash, duke parë renditjen e kampionatit dhe skuadrën e kuqe 15 pikë larg kreut, kur sapo ka nisur faza e dytë.
Dhe, nëse Laçi në dy ndeshje të shënon tri gola dhe ti nuk i shënon dot asnjë, atëherë (me gjithë respektin për skuadrën kurbinase) më mirë ul kokën dhe shko puno. Po, po! Shko puno. Sepse, tifozët nuk meritojnë t’i vësh në lojë, jo tani, jo pasi kanë provuar edhe situata më të këqija se kjo, madje atëherë kur nuk shihej fundi i tunelit.
Tani, përkthejeni këtë mesazh edhe në italisht dhe portugezçe, ta kuptojnë Moxhi dhe Bebeto, ata që menduan që të vinin në Shqipëri për të hapur një llogari më shumë bankare dhe jo sepse duan t’ia dinë se për cilin klub punojnë…