Pandemia pritet të ndryshojë formatin e Kampionatit Europian të ardhshëm. UEFA kishte menduar të sillte risi këtë verë duke e kthyer në festë gjithë kontinentin me formulën e zhvillimit të këtij kompeticioni madhor në 12 shtete të ndryshme. Por Covid-19 prishi çdo plan këtë vit.
Duke parë situatën e tanishme as vera e ardhshme nuk premton që kjo formulë të japë rezultat, për këtë arsye mund të kthehet sërish në mënyrën e vjetër. Një shtet që pret të gjithë kompeticionin. Rusia ka shpallur gatishmërinë për të mirëpritur Euro 2021 vetëm pak vite pasi organizoi Botërorin 2018.
Por duket se siberianët kanë hasur në konkurencë, pasi “Daily Mail“ raporton se një kanditaturë e mundshme është edhe Britania e Madhe. Uellsi, Anglia dhe Skocia mund të presin të 3-ja këtë edicion të Kampionatit Europian, teksa të 3-ja Kombëtaret marrin pjesë në fazën e grupeve. Ndërkohë jepet gjithashtu edhe shpresë për hapjen e dyerve të stadiumeve për tifozët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/