Rusi 2018, ata që shkëlqyen dhe zhgënjyen në Botërorin e surprizave

Me Botërorin që ka hyrë në fazën e nxehtë, ku në këto orë do të përcaktohen ekipet finaliste, mund të bëhet një hap mbrapa për të analizuar atë që ka ndodhur. Me ekipe si Gjermania, Argjentina, Portugalia apo Spanja shumë shpejt të eliminuara, në Botërorin e surprizave ka patur yje që shkëlqyen dhe të tjerë që dështuan. Kjo është një analizë e tetë skuadrave që luajtën në fazën çerekfinale.

Franca
Te Franca pretendente, ylli i turneut ishte Kilian Mbape. Sulmuesi është krahasuar me Ronaldon brazilian. Garanton kualitet, shpejtësi dhe driblime. Thjesht i shkëlqyer. Në anën tjetër, në sulmin e “gjelave” nuk ka lënë gjurmë Olivier Zhiru. Edhe pse prej një lojtari si ai priten gola, sulmuesi i Çelsit nuk realizoi në asnjë nga pesë ndeshjet e para.

Belgjika
Në Belgjikën e yjeve, ai që shkëlqeu më tepër ishte Kevin De Brujn. Një mesfushor modern, i zgjuar, që vrapon dhe godet portën. Fortesa braziliane ra për meritë të tij. Edhe pse për “Djajtë e Kuq” duket utopi të flasësh për zhgënjime, Aleks Vitsel duket sikur stonon. I ngadaltë, me manovra të lexueshme dhe pak i saktë. Pas transferimit në Kinë rënia është e dukshme.

Anglia
Me gjashtë gola, Harri Kejn është golashënuesi më i mirë i Botërorit. Kapiten dhe udhëheqësi i ëndrrës angleze. “Uragani” konfirmoi se është mes sulmuesve më të fort në botë. Te zhgënjimet nga “Tre Luanët” më kryesori është Rahim Stërling. Nga një lojtar i blerë 65 milionë euro pritet shumë më tepër. Në Anglinë e mahnitshme, ai ka stonuar.

Kroacia
E fundit nga gjysmëfinalistet, por jo më pak e rëndësishmja është Kroacia. Skuadra që u kualifikua në gjysmëfinale pas 20 vitesh dhe mund të ëndërrojë finalen. Luka Modriç është pa asnjë dyshim ylli i kroatëve, që kanë në ekip një prej mesfushorëve më të fort në botë. Dështimi i skuadrës së Daliç është Nikola Kaliniç, me sulmuesin e Milanit që u përjashtua nga ekipi pas ndeshjes së parë me Nigerinë, kur refuzoi të luante në minutat e fundit. Kaliniç humbi lavdi dhe vlerë në merkato, ndërsa te Kroacia askush nuk ia ndjeu mungesën.

Brazili
Te Brazili lojtari që u konfirmua si një prej mbrojtësve më të mirë në botë ishte Miranda. Pavarësisht moshës ai e ktheu repartin difensiv të “seleçaos” në një fortesë, që ra vetëm përpara yjeve belgë. Në anën tjetër, mes lojtarëve që zhgënjyen kishte shumë emra të rëndësishëm, por përgjegjësia më e madhe bie te Nejmar. Duhej të ishte Botërori i tij, por do të kujtohet vetëm për simulimet.

Uruguaji
Te Uruguaji shkëlqeu Gimenez që përkrah veteranit Godin ishte më i miri i ekipit të mjeshtërit Tabarez. Mbrojtësi i Atletikos së Madridit, ishte një prej atyre që u larguan me kokën lart. Dështoi në anën tjetër Muslera, ku megjithë pritjet ndaj Portugalisë në 1/8, gaboi në golin e dytë të Francës dhe u dhuroi bluve kualifikimin. Një portier që në karrierë i ka kombinuar shpesh pritjet e shkëlqyera me gafa fëminore.

Suedia
Te surpriza Suedi, lojtari kryesor ishte Emil Forsberg. Goli i tij e kualifikoi ekipin ndaj Zvicrës dhe pavarësisht eliminimit nga Anglia, mesfushori i Lajpcig e kaloi me sukses provën. Ai që zhgënjeu te nordikët ishte Toivonen. Vetëm një gol i shënuar ndaj Gjermanisë dhe më pas në hije.

Rusia
Rusia realizoi një sipërmarrje të jashtëzkaonshme, duke u kualifikuar mes tetë më të mirave në botë. Meritë për këtë kishte Denis Çerishev, goleadori që realizoi katër gola. Prej tij tifozët vendas ëndërruan. Përsa i takon atyre që zhgënjyen te Rusia, podiumi i takon Vladimir Granat, që luajti vetëm 75 minuta ndaj Spanjës, mes rekordeve negative. 11 prekje të topit, pesë pasime, asnjë i saktë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *