Jo vetëm lojtarët shqiptarë, por edhe arbitrat e Shqipërisë janë duke ngritur jo pak nivele krahasimisht me vitet e kaluara. Disa ndeshje janë gjykuar nga arbitrat e Superiores në nivele të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar, si në rang klubesh ashtu edhe në rang Kombëtaresh. Tani një moment i rëndësishëm është për Juxhin Xhajën që sot “luan” në një skenë të madhe të futbollit si Europa League.
Së bashku me ndihmësit e tjerë shqiptarë, Xhaja do të gjykojë ndeshjen mes Hoffenheimit të Bundesligës dhe Steuas së Bukureshtit. Kjo përballje është e rëndësishme për të dyja ekipet që nuk kanë siguruar asgjë sa i përket kalimit më tej. Nuk ndodh shpesh që një arbitër shqiptar të gjykojë një ekip të Bundesligës dhe padyshim kjo është një arritje e madhe. Gjykimi do të flas vetëm shqip teksa ndihmësit e Xhajës do të jenë Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo, ndërsa gjyqtari i katërt i takimit do të jetë Albert Doda.
Por për adresimin e Xhajës si arbitër të kësaj ndeshje, si për çudi është përjetuar më shumë në Rumani. Si për çudi pasi një ankesë e mediave gjermane apo Hoffenheim do të kishte më shumë kuptim duke ditur nivelin e lartë të kësaj skuadre dhe faktin se rrezikon më shumë se Steua largimin përpara kohe nga Europa League dhe një gabim i gjyqtarit tonë në këtë ndeshje, mund të rezultojë me pasoja fatale për buxhetin e kësaj skuadre për këtë sezon.
Mediat rumune kanë ngritur pyetjen nëse duhet t’i frikësohen Juxhinit për shkak se është shqiptar dhe sipas tyre, mund të kërkojë “hakmarrje” me vendimet e tij për shkak të asaj që ndodhi në ndeshjen Rumani-Kosovë. “A duhet të kemi frikë nga ky arbitër?”, është pyetja e ngritur nga një prej mediave në Rumani, që do t’i shohin me lupë vendimet e arbitrit të Superiores në këtë takim.
Në Rumani kanë disa kohë që po e vazhdojnë përjetimin e ndeshjes me Kosovën edhe pas vendimit të dhënë nga ana e UEFA-s në favor të tyre. Një përjetim që ka shkuar edhe në kurriz të futbollistëve shqiptarë në Rumani, të cilët kanë vuajtur zemërimin e rumunëve. Media rumune ka shkuar më tej duke thënë se arbitri ynë, Juxhin Xhaja, mund të dëmtojë Steauan edhe për shkakun se është mik i Kosovës. Ata kanë kujtuar se 34-vjeçari ka debutuar ndërkombëtarisht në vitin 2019 në miqësoren Kosovë-Gjibraltar të luajtur në Prishtinë. Një sinjal i qartë ky se nëse Steaua humbet kundër Hoffenheimit, ashtu siç pritet të ndodh duke parë nivelin e të dy ekipeve, faji do të ngelet përsëri te…një shqiptar. /Sport Ekspres/