Ruço karikon Lushnjën, kthehet sulmuesi Sefa

Mesfushori Ledio Ruço pret një start me fitore të Superiores javën e ardhshme, ndërkohë që sulmuesi ka lënë pas dëmtimin

 Arjan Likja

Pas miqësores me Luzin, lushnjarët i janë kthyer stërvitjes në vendin pas portave të stadiumit “Roza Haxhiu”. Për shkak të festës së Kurban Bajramit, trajneri Bano e ka zhvilluar seancën stërvitore paradite, ku ka pasur në dispozicion gjithë grupin e futbollistëve.

LEDIO RUÇO – Mëngjarashi Ledio Ruço duket se edhe në Superiore do të jetë lojtar kyç për trajnerin Bano, i cili e ka përdorur në shumë role. Në miqësoren ndaj Apolonisë 25-vjeçari luajti si mbrojtës i djathtë, si herë të tjera në sezonet e fundit. Për “Sport Ekspres” Ruço shprehet se Lushnja është gati për një strat pozitiv të kampionatit. Për fat të keq, starti është në “Loni Papuçiu” dhe jo në Lushnjë. “Kampionati po troket dhe mezi po e presim ndeshjen me Vllazninë. Ekipi është harmonizuar në lojë dhe mendoj se ka parametrat e duhur fizikë. Të gjithë lojtarët janë gati për të dhënë më të mirën në fushë. Konkurrenca është shtuar pas afrimeve në merkato dhe askush nuk është i sigurt në formacion, duke nisur nga porta. Besoj se kjo gjë do ta rritë përkushtimin tonë në stërvitje dhe secili duhet ta meritojë vendin e titullarit. Miqësoret na kanë ndihmuar shumë të konsolidojmë lojën në grup. Kemi një tjetër miqësore me Orikumin, një mënyrë e zgjedhur nga stafi për të kompensuar ndonjë deficit që krijohet nga mungesa e një fushe stërvitore. Po vuajmë në këtë drejtim, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Mezi po e presim ndeshjen e parë me shkodranët në Fier. Mendoj se ekipi ka marrë atë që duhej në fazën përgatitore dhe me Vllazninë do të jemi plotësisht gati. Synojmë fitoren, sepse shkodranët i konsiderojmë rivalë direkt në objektivin tonë për mbijetesë. Kam besim se do t’ia dalim për të marrë pikë të plota”, -ka theksuar Ruço.

SEFA – Sulmuesi Fation Sefa i ka munguar formacionit të Banos në testet e zhvilluara pas kthimit nga Pogradeci. 33-vjeçari kishte pësuar një dëmtim në seancën e fundit stërvitore në Pogradec dhe ka punuar i diferencuar, por tashmë ai ka lënë gjithçka pas krahëve. Sefa është aktivizuar nga minuta e parë në miqësoren ndaj Luzit dhe ky është lajm i mirë. Bashkë me Brunild Pepën dhe Mikel Cankën, do të përbëjnë treshen e sulmit të Lushnjës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *