Simo Rrumbullaku ishte protagonist në barazimin e Kukësit në Maltë. Mbrojtësi i linjës goditi topin që u ndal nga portieri vendas, duke u kthyer në një asist për Dzarian. Në një prononcim për “Supersport” Rrumbullaku komenton ndeshjen me Karabakun, por dhe për të ardhmen dhe afrimet e fundit.
KUALIFIKIMI ME VALETËN – “Ishte një kualifikim shumë i madh për ne. E prisnim dhe luftuam për ta arritur edhe pse nuk ishte e lehtë, pasi dhe Valeta bëri një lojë mjaft të mirë dhe e donte kualifikimin. Jemi të lumtur që e arritëm këtë kualifikim
AFRIMET E VERËS – “Lojtarët e rinj duhet të kuptojnë mentalitetin e klubit. Këtu normalisht ka presion, pasi duhen fitore, duhen kualifikime dhe duhet të futen në këtë mentalitet. Të gjithë lojtarët kanë vlerë dhe tani duhet të përshtaten dhe të arrijmë atje ku duhet.
KARABAKU – “Të them të vërtetën është më mirë të luash me ekipe me emër, si Karabak, që janë të njohura në Europë, pasi psikologjikisht je gati, më i përqendruar. Në fillim dëgjuam Valeta dhe menduam se është e lehtë por nuk ishte kështu. Na pret një ndeshje e vështirë, pasi kanë një ekip shumë të mirë. Ne të gjithë bashkë do ia arrijmë që ta kalojmë dhe këtë raund”.
E ARDHMJA – “Dua të bisedoj me drejtuesit. Kontrata ime përfundon pas Kupave të Europës. Pas këtij kualifikimi nuk e di çdo të ndodhë. Do të ulemi dhe do ta diskutojmë se çfarë do të ndodhë, por dëshira ime është që të qëndroj tek Kukësi”.