Simon Rrumbullaku prej dy ndeshjesh është kthyer titullar te skuadra e Kukësit dhe dje spikati me lojën e tij, pasi ishte protagonist në dy prej golave të realizuar. 25-vjeçari asistoi në golin e Elis Bakajt, si dhe në realizimin e parë të Alijevit, me kroset e tij nga e majta. Jo vetëm kaq, por mund ta kishte çuar në tre numrin e pasimeve për gol, sikur Bakaj të mos ishte ndalur nga traversa në një rast.
Mjaft mirë për mbrojtësin gjirokastrit, i cili në dy ndeshjet e fundit është kthyer titullar në të majtë të mbrojtjes dhe po ndihmon shumë edhe në fazën sulmuese, përveç detyrës së tij të parë, mbrojtjes. Edhe në Lushnjë Rrumbullaku kërkoi shpesh depërtimet në sulm dhe goditi edhe traversën direkt nga goditja e dënimit, ndaj tashmë ka rifituar vendin në formacion dhe po kënaq trajnerin Milinkoviç, i cili në javët e para e uli në stol.