Rritet interesi për futbollin e moshave dhe të femrave, FSHF-ja publikon shifrat e sportdashësve që kanë ndjekur ndeshjet në kanalin zyrtar

Federata Shqiptare e Futbollit përmes iniciativës për t’i dhënë më shumë audiencë ndeshjeve të ekipeve kombëtare të moshave, djem dhe vajza, kampionatit të vajzave dhe kampionateve të moshave ka mundur të transmetojë direkt e pa pagesë në kanalin zyrtar në Youtube një numër të madh ndeshjesh përgjatë vitit të kaluar.

Duke nisur nga tetori i vitit 2022 e deri më tani FSHF ka transmetuar direkt 78 ndeshje të moshave, ekipe kombëtare djem e vajza veçanërisht nga eliminatoret e Europianëve të moshave U-17 e U-19. Përveç transmetimeve direkte të mbuluara nga vetë FSHF në disa raste është bashkëpunuar dhe me RTSH-në, që ka mbështetur Federatën në këtë nismë të rëndësishme për t’i dhënë audiencë më të madhe futbollit shqiptar.

Duke iu referuar statistikave, këto ndeshje janë ndjekur nga më shumë se 100 mijë shikues pa pagesë në kanalin Youtube, ndërkohë që ka mbi 2 milionë impresione nga ndjekësit. Shifra të konsiderueshme që konfirmojnë se futbolli shqiptar ka pasur më shumë audiencë dhe shikueshmëri krahasuar me vite të kaluara, pikërisht falë investimit të FSHF në këtë drejtim.

FSHF ka bërë të mundur transmetimin e të gjitha ndeshjeve eliminatore të Europianëve për vajzave dhe djem të luajtura në Shqipëri, madje në bashkëpunim edhe me federata të tjera janë transmetuar edhe disa ndeshje në transfertë. Janë transmetuar live thuajse të gjitha ndeshjet zyrtare dhe miqësore të ekipeve Kombëtare të moshave për djem nga qershori e deri më tani.

Ndërkaq, duke filluar nga tetori i vitit të kaluar të paktën dy nga ndeshjet kryesore të javës në kampionatet e moshave në “Abissnet Superiore”, nga grup-mosha U-17 dhe U-19, janë transmetuar direkt dhe pa pagesë nga Federata Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, është transmetuar dhe një ndeshje në javë nga kampionati i vajzave, teksa përveç këtyre janë transmetuar edhe ndeshjet e turneut të përfaqësueseve rajonale që organizohet nga FSHF dy herë në vit e ku marrin pjesë futbollistë nga e gjithë Shqipëria të grup-moshave U-13, U-14 dhe U-15.

Kjo nismë i ka dhënë një audiencë akoma më të madhe veçanërisht futbollit të vajzave, që vazhdon të tërheq interesimin gjithnjë e më të madh të shumë vajzave që po afrohen me ekipe. FSHF do të vazhdojë t’i japë mundësinë futbolldashësve të ndjekin drejtpërdrejtë pa pagesë ndeshje nga kampionatet e moshave dhe kampionati i vajzave, duke promovuar kështu të rinjtë e të rejat, dhe duke i dhënë më shumë shikueshmëri futbollit të fëmijëve dhe vajzave, që janë dy nga prioritetet kryesore në strategjinë e Federatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *