Presidenti i Republikës, Begaj, po bën gjithçka mundet për t’i nxirë sa më shumë jetën futbollit të Shqipërisë. 10 talente të Kombëtares, femra dhe meshkuj të diasporës, nuk po u jepet pashaporta pasi Begaj tregon ligjet e ndryshuara për pjesën e shtetësisë. Por kur bëhet fjalë për vendime që i shkojnë në favor, Begaj zgjedh një tjetër mënyrë, duke mos i lënë në pritje si lojtarët e Shqipërisë. Nisur nga kjo situatë, një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Drejtori i Departamentit të Skautizmit, Tefik Osmani.
“Zoti President i Republikës,
Po ju drejtohem publikisht, jo për një favor, por për një përgjigje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e futbollit shqiptar.
FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial të madh, të cilët mund të përfaqësojnë Shqipërinë në ekipet kombëtare të moshave. Përgjigjja që marrim është se ka ndryshuar ligji dhe duhet të presim VKM-në.
Dua të jem shumë i qartë: ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare. Madje kemi punuar dhe kemi bërë marrëveshje me Italinë pikërisht që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë.
Por pikërisht për këtë arsye, lind një pyetje e fortë:
Si është e mundur që procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës, si Albion Rrahmani, mund të ecin dhe të përfundojnë, ndërkohë që dokumentacioni i lojtarëve dhe lojtareve që FSHF-ja po përpiqet t’i afrojë me Kombëtaret e Shqipërisë qëndron gjithmonë në pritje?
Nuk kemi asgjë kundër Rrahmanit apo lojtarëve të Kosovës. Përkundrazi, kjo është një çështje që ne e mbështesim. Por kërkojmë që i njëjti seriozitet, e njëjta shpejtësi dhe e njëjta vëmendje t’u kushtohet edhe talenteve që mund të veshin fanellën kuqezi.
Sepse këtu nuk po flasim për dokumente që mund të presin pafundësisht. Po flasim për fëmijë dhe të rinj që kanë një moshë, një cikël kombëtareje dhe një moment të caktuar në zhvillimin e tyre.
Nëse shteti mund të gjejë një zgjidhje kur bëhet fjalë për një lojtar që përfaqëson Kosovën, pse nuk mund të gjendet një zgjidhje me të njëjtën urgjencë për lojtarët që presin të përfaqësojnë Shqipërinë?
Sepse në fund, rrezikojmë diçka shumë më të madhe se një dosje të vonuar:
rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron.
Dhe do të ishte paradoksale që talentin ta humbnim jo në fushën e futbollit, por në pritje të një procedure administrative”, shkruan Osmani. /Sport Ekspres/