Futbollistët nuk janë të vetmit që po përpiqen të ruajnë formën në kushte shtëpiake dhe të vuajë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia Covid-19. Në të njëjtën situatë gjenden edhe arbitrat, që me vendimet e tyre vendosin edhe fatet e ndeshjeve. Në një intervistë për “Studio Sprint” ka folur edhe Sokol Jareci, i cili mban postin e shefit të Sektorit të Arbitrave.
Jareci është shprehur ndër të tjera se do të ulen për diskutim me FSHF-në, ku do të vendosin nëse do të jenë më të butë në gjykim sa i përket kartonave. Megjithatë, kreu i Sektorit të Arbitrave thotë se nuk mund të eksperimentojnë me rregulloren dhe do i bazohen asaj aktuale deri në fund. Sa i përket titullit thekson se duhet të fitohet në fushën e lojës, ndërsa qartëson opinionin se kjo situatë e vështirë do të reflektohet edhe në cilësi.
ARBITRAT – “Patjetër, edhe ne jemi pjesë e kampionatit, jemi ekipi i fundit po themi, megjithëse jemi ata që japin verdiktet kryesore në fushë. Edhe ne si sektor arbitrimi, kemi menduar të mbajmë në tonus arbitrat, për të ruajtur formën fizike”.
VERDIKTET – “Ndoshta unë nuk ndaj të njëjtin opinion, pasi vendimet e arbitrave gjithmonë do të jenë në fokusin e lojtarëve, presidentëve, pasi në fund fare, jemi ne ata që japim verdiktet. Ne si sektor, po punojmë prej tre javësh, kemi dërguar arbitrave një program special stërvitje. Ne si sektor, jemi përgatitur edhe me video-teste, çdo javë dërgojmë këto situata me video tek arbitrat, për të ruajtur përqendrimin”.
RREGULLORJA – “Deri në përfundimin e sezonit, do t’i përmbahemi rregullores, nuk mund të dalim jashtë rregullores dhe të bëjmë eksperimente. Por ne si sektor, do të mblidhemi dhe do të diskutojmë me Federatën Shqiptare për këtë, për kartonët e verdhë, mund të jemi më të butë në ndëshkimin e lojtarëve”.
CILËSIA – “Patjetër që cilësia do të bjerë pak, pasi dhe ne jemi pjesë e futbollit, jetojmë me këtë lojë. Nuk jemi në kushte normale, më vonë mund të dalim në një përfundim. Për momentin, mos prisni çudira nga arbitrat”.
TITULLI – “Titulli i takon fushës, edhe pse arbitrat shpeshherë bëhen protagonistë me vendimet e tyre. Gjithsesi, në të gjitha kampionatet e botës, titulli ka dalë nga fusha. Edhe këtë sezon, titulli kampion të dalë nga fusha”, ka thënë Sokol Jareci./Halit Delibashi-Sport Ekspres/