Rregulli i penalltive: 15 nga 19 duhej të përsëriteshin

Momenti i ekzekutimit të penalltisë, është padyshim rregulli që shkelet më tepër në futboll. Pavarësisht nëse ndodh gjatë ndeshjes, apo pasi edhe shtesat përfundojnë në barazim dhe nga 11-metërshat duhet vendosur fituesi i ndeshjeve.

Kjo u përsërit edhe në ndeshjet dramatike të së dielës, ku Rusia surprizoi duke eliminuar Spanjën, ndërsa Kroacia vuajti më tepër nga sa mendohej përballë Danimarkës. Shkak për shkeljen u bë lëvizja e parakohëshme e portierëve, në tentativën për të pritur goditjet.

Kjo ndodhi me Igor Akinfev, që u shndërrua në heroin kombëtar të Rusisë. Por, edhe me danezin Kasper Shmajkel dhe kroatin Danijel Subasiç, që me nga tre penallti të pritura pas përfundimit të kohës së rregullt barazuan rekordin e Rikardos.

Rendiment i jashtëzakonshëm, por fakti është që në 15 nga 19 penalltitë e ndeshjeve të së dielës, portierët fituan disa hapa, përpara ekzekutimeve. Sipas rregullores së FIFA-s, lëvizja e parakohëshme e portierit dhe avancimi nga vija e portës për të zvogëluar rrezen e goditjes është e palejueshme. Por, edhe pse arbitrat ishin vetëm pak metra larg dhe në Rusi 2018 përdoret sistemi Var, asnjë nga penalltitë nuk u përsërit për shkelje të rregullores.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *