Rregullat e reja të futbollit anormal! Bilbil elektronik për arbitrin, nuk e kundërshton dot dhe pushime për dizinfektimin e duarve

Nga Klaudio Ndreca

Futbolli pritet të rikthehet brenda pak kohësh, pasi edhe shumë skuadra janë në rrezik falimentimi në Europë. Por nga ana tjetër pas prekjes nga COVID-19, duhet të harrojmë që të shohim sportin tonë më të dashur si më parë.

Këtë herë do të ketë shumë ndryshime, aqsa do të vazhdojë të duket si një gjendje anormale. Në Poloni janë duke gjetur zgjidhje nga më të çuditshmet për të evituar infektimin gjatë ndeshjeve. Pjesa më e mbrojtur do të jenë arbitrat, që fillimisht do të heqin dorë nga VAR-i. Për të vazhduar më tej, do i duhet të mbajnë maska dhe doreza.

Menjëherë lind pyetja sesi do të vërshëllehet për nisjen dhe lojën e ndaluar, por edhe kjo është mënduar. Këtë herë do të kemi një bilbil elektronik, që përdoret me dorë dhe jep sinjalizimin. Gjithashtu është menduar që ashtu si gjatë verës që bëhen disa ndalesa të lojës për t’u freskuar lojtarët, këtë herë të bëhen për të dizinfektuar duart. Ndërkohë për protestat e lojtarëve ndaj arbitrave, duhet t’i harrojnë, pasi nuk mund të afrohen dot më shumë se 2 metra. /Sport Ekspres/