Erling Haaland ishte lojtari më i përmendur dhe talenti që mori gjithë vëmendjen në mbrëmjen e djeshme të “Champions League”. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, pasi në atë fitore të Salzburgut me Genk në shifrat 6-2, tre gola do të vinin vetëm nga Haaland.
Vërtet një shifër e lartë për një sulmues 19-vjeçar, për më tepër realizime këto që vijnë në “Champions League”. Por për Haaland gjithçka rrotullohet te futbolli dhe asgjë tjetër nuk merr rëndësi. Një rrëfim unik vjen nga shoku i tij i skuadrës, Max Wober, që tregon se çfarë ka bërë Haaland para ndeshjes së djeshme:
“Erling është i çmendur. Mbrëmjen e kaluar, kapiteni ynë na e tha historinë. Ishte duke ecur me vajzën e tij të vogël, me qenin e tij. Pastaj një makinë ndaloi. Xhamat ishin ulur dhe muzika me volum. Dhe atje ishte Haaland, duke dëgjuar himnin e “Champions League”. Është vërtet i çmendur, gjithçka rrotullohet te futbolli për të”, ka thënë Wober. /Sport Ekspres/