Rrëfimi i “Buba” Hasanit: nga Europiani, te Arabia dhe ndikimi i Besnik Hasit

Rikthimi në përfaqësuesen e Maqedonisë, objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë të skuadrës, ëndrra për të siguruar një vend në Europianin 2020 nga Liga e Kombeve, por edhe transferimi i papritur në Arabi dhe ndikimi i ish-kapitenit kuqezi, Besnik Hasi në këtë zgjedhje.

Ferhan Hasani tregoi gjithçka rreth situatës së tij në programin “Nations League” në “SuperSport”. “Buba” konfirmoi edhe virozën që ka prekur një pjesë të lojtarëve, vetëm pak orë përpara ndeshjes, e cila ka bërë që trajneri Angelovski të ketë shumë dyshime për ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Lihtenshtejnit.

Ferhan rikthehesh në përfaqësuesen maqedonase, pas mungesës në dy ndeshjet e fundit, ku kishe një arsye të fortë?
-Të jesh në Kombëtare është gjithmonë e rëndësishme për çdo lojtar. Mungova në dy ndeshjet e fundit, sepse isha në momentet finale të transferimit në Arabi. Pas bisedës me trajnerin, vendosëm që të mos isha pjesë e përfaqësueses në ato ndeshje.

Sa përcaktuese do të jenë dy ndeshjet e radhës për ecurinë e Maqedonisë në Ligën e Kombeve?
-Për ne, këto dy ndeshje do të jenë vendimtare për vendin e parë në grup. Ndeshja e radhës me Lihtenshtejnin, edhe pse bëhet fjalë për një kundërshtar të lehtë, duhet të fitohet. Më pas duhet të jemi të përgatitur për ndeshjen në Armeni, e cila do të vendosë për fituesin e grupit. Liga e Kombeve është një shans për përfaqësueset më të vogla për nëj vend në Europian.

Ekziston një duel ndërmjet juve dhe Bardhit për goditjet e dënimit te Maqedonia?
-Nëse do të ketë goditje të lira, do ti godasë Enisi.

Gjendja shëndetësore e skuadrës?
-Jemi gjashtë apo shtatë lojtarë që kemi marrë një virus, edhe unë jam mes tyre. Nuk e di, ndoshta prej ushqimit. Disa lojtarë janë bërë më mirë, për të tjerët stafi po punon të përmirësohet gjendja shëndetësore. Shpresoj të jemi gati për ndeshjen e nesërme.

A ndihet situata politike në Maqedoni në përfaqësuese?
-Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, nuk ekzistojnë dallimet. Jemi njësoj, si ne (shqiptarët), ashtu edhe ata (maqedonasit). I respektojmë dhe na respektojnë në maksimum.

Eksperienca e re në Arabi?
-Në fillim kisha pak probleme për përshtatjen. Temperaturat janë shumë të larta. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të luaja në Arabi, por në këtë zgjedhje ndikoi trajneri Besnik Hasi.

Oferta nga Shqipëria dhe Europa, a ju bindi vetëm trajneri Hasi?
-Po, ai ishte njeriu që ka meritën më të madhe, që unë tashmë po luaj tek Al Raedi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *