“Mora një telefonatë dhe më thanë se çfarë po ndodhte!”. Obi Mikel tregon dramën e tij në këtë botëror, jo në fushë, por jashtë saj, shumë kilometra larg Rusisë… “Më thanë se do të më vrisnin babain nëse do t’i telefonoja policisë ose nëse do t’ia thoja dikujt”.
Lajmi I pengmarrjes së të atit nuk mund të dilte pas atij kërcënimi, sidomos pasi kishte ardhur për kapitenin e Nigerisë disa orë përpara ndeshjes me Argjentinën.
Obi Mikel, në fakt, atë ndeshje e luajti, në heshtje dhe me sekretin: “Vetëm një rreth I ngushtë miqsh e dinin, nuk fola as me trajnerin sepse nuk doja të bëhej një shpërqëndrim për të apo për pjesën tjetër të skuadrës, përpara një ndeshje kaq thelbësore”.
“Luajta ndërsa im atë ishte në duart e atyre banditëve dhe m’u desh që të mbaja vetë atë traumë. Isha I shqetësuar, konfuz, nuk dija çfarë të bëja. Por, në të njëjtën kohë nuk mund të flisja dhe nuk mund të braktisja 180 milionë nigerianë”.
Në fund, gjithçka u zgjidh mirë dhe Mikel tregon se “im atë u lirua të hënën pasdite. Falënderoj policinë dhe sforcot e miqëve të mi. Im atë ndodhet në spital, I shtruar pas torturave të pësuara”.