Armando Broja po shkëlqen me moshat e Chelseat, teksa shënon sa herë që zbret në fushën e lojës. Madje ishte pikërisht lojtari shqiptar ai që i fali edhe kualifikimin në gjysmëfinalem e FA Cup 18-vjeçarëve të klubit londinez. Një gol me roveshatë spektakolare që u mohua më pas nga gjyqtari i ndeshjes për faull në sulm dhe një tjetër i rregullt që i dha fitoren Chelseat mbajnë emrin e Armando Brojës.
Të gjitha këto ndodhën në sytë e Frank Lampard. Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, trajneri i bluve të Londrës ishte i pranishëm në stadium për të parë nga afër disa prej lojtarëve të moshave, ndër të cilëve spikat edhe sulmuesi kuqezi. Me ndeshjen e zhvilluar ditën e djeshme padyshim që Broja ka lënë një përshtypje pozitive Lampardit, që mund ta thërrasë edhe në ekipin e parë. Megjithëse një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur për ndeshjen e radhës, për shkak se lojtari shqiptar është stërvitur me 18-vjeçarët, një ftesë adresuar për të mund të mos vonojë./Sport Ekspres/