“Na e morën hakun dhe për këtë i falënderoj: ishte një dhuratë e madhe për tifozët e Interit dhe për ne që nuk ia dolëm që t’ua bënim një dhuratë. E donim shumë, vetëm ne e dimë sa. Interi nuk fitoi të dielën ndaj Lacios titullin që mund ta fitonim ne, por ky kualifikim për në Champions League nuk vlen më pak, në një farë mënyre”. Kështu flet Ronaldo “Fenomeni”, në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ku lavdëron Interin e tij për fitoren ndaj Lacios, armikut që në vitin 2002 i hoqi titullin nga duart, në ndeshjen e fundit të sezonit, një 4-2 që nuk i hynte fare në punë Lacios.
FITORJA – “Interi në momentin vendimtar të ndeshjes dha diçka më shumë, si në disa raste këtë sezon, edhe pse shpesh ka pasur luhatje. Një mik më tha: ‘Një ndeshje të tillë këto vitet e fundit Interi do e humbiste 100%’. Këtë radhë ia doli mbanë, ndryshimi është kolosal”.
SPALETI – “Nuk e di në detaje çfarë ka bërë këtë vit tek Interi, por jam i bindur që trajnerët bëjnë ndryshime të vogla, nuk bëjnë ndryshim total. Spaleti ishte i tillë që kur luaja unë në Itali: me ide të qarta. Kam lexuar që Spaleti të dielën bëri ndërrimet e duhura: kam menduar gjithmonë që një qendërsulmues mund të luajë i vetëm përpara, por në disa momente ka nevojë për mbështetje dhe Eder në Olimpico ishte një mbështetje e shkëlqyer për Ikardin”.
IKARDI – “Ai është i tillë: mendon mbi të gjitha për golin dhe shënon pa fund. Shpresoj që ai të jetë i pari që ta dijë që mund të përmirësohet, gjithmonë, por nuk mund të diskutohet një sulmues që shënon 29 gola. Ka gabuar ndonjë gol, por ka shënuar shumë të tjerë vendimtarë, nuk i kuptoj kurrë kritikat. Më besoni, 29 gola në Itali janë shumë, e them unë dhe më besoni që marr vesh nga kjo punë. A do të qëndrojë Ikardi? Duhet të pyesni atë, por nëse nuk i jepet vazhdimësi këtij sezoni, është si të hedhësh poshtë gjithë këtë mund”.
MERKATO – “Paratë e Champions League nuk nënkuptojnë detyrimiht blerje, menjëherë. Para se të blejë, Interi duhet të arkëtojë, ka rregulla. Champions vlen shumë, por nuk është gjithçka. Interi ka detyrimin që të luftojë për titull, Juventusi nuk mund të mos ketë një rival si Interi”.