Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u rizgjodh të mërkurën e kaluar anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Kongresin e 47-të të UEFA-s, që u zhvillua në Lisbonë të Portugalisë. Një sukses i vërtetë për Presidentin Duka, por edhe për futbollin shqiptar që do të ketë sërish një përfaqësues në organin më të lartë drejtues të qeverisë së futbollit europian.
Menjëherë pas rizgjedhjes shumë drejtues federatash nga vende të ndryshme të botës kanë uruar Presidentin Duka nëpërmjet telegrameve të dërguara në adresë të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke shprehur mbështetjen e tyre për këtë votëbesim të fuqishëm.
Presidenti i Federatës Holandeze të Futbollit, Just Spee Gijs de Jong, në telegramin e tij vlerëson kontributin e Presidentit të FSHF-së në UEFA dhe shpreh bindjen në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy federatave në të ardhmen.
“Dëshirojmë t’ju përgëzojmë për zgjedhjen tuaj si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 5 prill të këtij viti. Jemi të bindur se rizgjedhja juaj për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s do të vazhdojë të jetë një kontribut i madh për KE-në e UEFA-s. Është ende e freskët në memorien tonë momenti kur një ekip holandez pati mundësinë fantastike për të luajtur finalen e UEFA Conference League në Tiranë. Ky është vetëm një nga momentet më të fundit të historisë tonë të përbashkët. Siç e dini, FSHF dhe KNVB kanë prej kohësh një marrëdhënie të fortë dhe ne presim ta forcojmë këtë marrëdhënie edhe në të ardhmen”, – shkruhet në mesazhin e Federatës Holandeze.
Edhe Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Fernando Gomes, ka shprehur urimet më të mira për Presidentin Duka dhe sa më shumë suksese në këtë mandat të dytë.
“Kam kënaqësinë t’ju përcjell urimet e mia të sinqerta për rizgjedhjen tuaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, duke ju uruar sukseset më të mira personale dhe profesionale për këtë mandat. Ishte një kënaqësi t’ju mirëprisnim në Lisbonë, duke shpresuar se keni kaluar një kohë të këndshme në Portugali”, – shkruan në mesazhin e tij Gomes.
Tjetër mesazh ka ardhur nga Federata Turke e Futbollit, që gjithashtu shpreh bindjen se rizgjedhja e Presidenti Duka në postin e anëtarit të UEFA-s do të jetë një faktor në zhvillimin e dhe promovimin e lojës së futbollit në të ardhmen.
“Ne jemi besimplotë se rizgjedhja juaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s do të forcojë më tej vendosmërinë e qeverisë së futbollit në promovimin dhe zhvillimin e lojës së futbollit në të gjithë Europën. Ju sigurojmë se Federata Turke e Futbollit është e gatshme t’ju mbështesë në iniciativat e tua dhe ka shumë besim se eksperienca dhe njohuritë tuaja të vyera do të jenë asete të çmuara për lojën e bukur”, – shkruan në telegramin e tij Presidenti i Federatës Turke, Mehmet Büyükek?i.
Federata Irlandeze e Futbollit gjithashtu ka uruar Presidentin Duka për këtë rizgjedhje, teksa homologu i tij irlandez Gerry McAnaney shprehet se mezi pret të intensifikojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, urime në adresë të Presidentit të FSHF-së me këtë rast kanë ardhur edhe nga Presidenti i Federatës së Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, por edhe nga kreu i Misionit Diplomatik të Algjerisë në Tiranë, Ridha Nebais.
Në Kongresin e dy ditëve më parë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori 45 vota nga 55 vende anëtare të UEFA-s, duke qenë më i votuari mes të gjithë kandidatëve dhe do të jetë kështu pjesë e qeverisë së UEFA-s deri në vitin 2027.