Rivalët e Superiores duhet të frikësohen me Tiranën e re të Orges Shehit, por ndaj Beshiktashit nuk duhet fantazuar për më larg

Tirana e Orges Shehit ishte më shumë se dinjitoze në transfertë kundër Beshiktashit. Nënkampionët e Shqipërisë po luanin kundër një ekipi që lojtarët e tij kushtojnë në total 100 milionë euro sipas “Transfermarkt”. Madje vetëm një lojtar i tyre që ishte në fushë, Gedson Fernandes, vlen dy herë më shumë se gjithë ekipi i Tiranës. Karton i Fernandes shkon në 12 milionë euro, ndërsa gjithë lojtarët e Tiranës vlejnë rreth 5.50 milionë euro, po sipas Transfermarkt.

Pra diferenca është e frikshme mes dy ekipeve. Për këtë arsye fakti që Tirana qëndroi në lojë deri në fund, pa e humbur toruan në asnjë moment edhe kur u gjet në disavantazhin e dy golave, është vlerë e shtuar për Orges Shehin dhe skuadrën e tij. Rivalët e Superiores duhet të frikësohen për këtë formë të bardhebluve dhe më kryesorja, për afrimet e verës.

Kaina futet në fushë dhe shënon një gol kundër Beshiktashit në transfertë. Nga ana tjetër Latifi bëri disa shpërthime shumë të mira ndaj mbrojtësve që kushtojnë jo pak në tregun europian, pavarësisht se Liridoni nuk ishte në maksimumin e tij. Nga krahu tjetër Jonuzi dhe Doka luajnë po mirë, janë të gjitha sinjale alarmi për kundërshtarët e Tiranës në Superiore.

Por nëse flasim për kualifikimin e Tiranës më tej dhe mundësinë për të eliminuar Beshiktashin, është thuajse zero. Pavarësisht se futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe gjithmonë lë vend për surpriza, gjithçka shkon në bazë të një logjike. Në momentin që Beshiktashi luajti për të kërkuar golin në pjesën e parë, Tirana nuk kishte thuajse asnjë shans për ta rrezikuar dhe shumë herë situata në mbrojtje ishte frikësuese për pësimin e golit.

Kjo vjen pasi çdo lojtar i Beshiktashit është më i mirë në vlera se një i Tiranës dhe është e pamundur që të bësh dublime karshi çdo rivali. Në momentin që Beshiktashi uli tempin, Tirana nisi të luajë. Por edhe kundër Tirana ngushtoi shifrat, nuk ishin bardheblutë ata që po rrezikonin për barazimin në bazë të psikologjisë më të lartë të lojës. Më pas ishte po Beshiktashi që e shtoi ritmin dhe nuk i duheshin shumë minuta për të gjetur një tjetër gol.

E parë në këtë këndvështrim, gjasat janë shumë të ulëta që Tirana të arrijë kualifikimin e madh në Air Albania. Për më tepër, nuk do të ketë as nënvlerësimin e Beshiktashit. Madje edhe para ndeshjes së djeshme tifozët ishin kundër drejtuesve të klubit dhe u kërkonin dorëheqjen. Nëse Tirana do të eliminonte Beshiktashin, një kaos i madh do të ndodhte me këtë skuadër. Kjo është një arsye shumë e vlefshme që djemtë e Gunesh të mos rrezikojnë asgjë në Tiranë. Megjithatë ka ende edhe një akt të dytë për t’u luajtur, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *