Në orën 16.00 në Kazan nis pjesa e dytë e Kupës së Botës, me ndeshjet me eliminim direkt, që do të kenë brenda edhe një risi për futbollin botëror, të paktën në kompeticionin më të madh për kombëtaret.
Pas përfshirjes së teknologjisë VAR, që ka ndryshuar shumë gjëra në Kupën e Botës, tashmë e ka radhën risia e radhës: në rast barazimi, trajnerët do të kenë mundësi të kryejë ndërrimin e katërt në shtesa.
Një diçka e tillë ndryshon shumë gjëra, sepse në të shkuarën trajnerët ruanin të paktën një ndërrim për në shtesë, duke bërë llogaritë në fundin e ndeshjes.
Tani e tutje tre ndërrimet mund të kryhen të gjitha, pa pasur frikën e dëmtimeve, pasi në shtesat 30-minutëshe mund të kryhet edhe një zëvendësim, për dëmtim apo thjesht për të hedhur në fushë ndonjë lojtar që konsiderohet shumë i zoti për të gjuajtur penalltitë.