Ylli gjerman më në fund ka pranuar të rinovojë kontratën me Arsenalin dhe do të qëndrojë në “Emirates” deri në vitin 2021. Gjermani pritet të përfitojë 300 mijë paundë në javë
Pas shumë zërave në lidhje me një largim të mundshëm të Mesut Ozilit nga skuadra e Arsenalit, më në fund gjithçka është bërë zyrtare dhe Ozil do të qëndrojë. Ylli 29-vjeçar do të vazhdojë të veshë fanellën e Arsenalit deri në vitin 2021 dhe do të përfitojë një rrogë javore prej 300 mijë paundësh, duke u bërë kështu lojtari më i paguar tek “Topçinjtë”. Pas shumë bisedimeve mes klubit londinez dhe 29-vjeçarit në lidhje me rinovimin e kontratës, Ozil ka pranuar të rinovojë, duke u bërë kështu “blerja” e tretë e “Topçinjve” gjatë merkatos së janarit. Arsenali transferoi dy emra të mëdhenj gjatë merkatos së dimrit. Mkitarian ishte transferimi i parë i londinezëve dhe pas tij erdhi edhe Obamejang. Arsenali duket se e ka përforcuar ndjeshëm repartin ofensiv dhe me mbajtjen e Ozilit në skuadër, Venger është optimist për një vend në katër më të mirat në Premier Ligë.
Ozil i lumtur
Lajmi për rinovimin e Ozilit u bë publik nga vetë lojtari. Mesfushori gjerman publikoi një foto të tij gjatë nënshkrimit të kontratës dhe u shpreh shumë i lumtur që do të vazhdojë të luajë për Arsenalin. Në nënshkrimin e fotos, Ozil u shpreh: “Ky ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës sime dhe më është dashur shumë kohë që të mendohem. Por dihet se gjërat e mia duan kohë dhe pikërisht për këtë arsye, vendimi im nuk ishte i menjëhershëm. Doja të konsultohesha me të gjithë të afërmit e mi në lidhje me këtë vendim, por sot jam shumë i bindur. Arsenali është si një shtëpi për mua dhe jam shumë i lumtur që do të vazhdoj punën time këtu. Për rinovimin e kontratës vendosa me bindje të plotë dhe dëgjova zemrën time. Jam shumë i motivuar të vazhdoj punën time këtu dhe jam i sigurt se do të arrijmë gjëra të mëdha. Para Arsenal!” Tifozët e Arsenalit u shprehën të lumtur për qëndrimin e Ozilit në “Emirates” dhe gjermani duket se është bërë lojtari i preferuar i tyre pas largimit të Aleksis Sançez. Me kontratën e re, Ozil do të përfitojë plot 300 mijë paundë në javë, plus bonuse. Kjo kontratë e bën gjermanin lojtarin më të paguar tek Arsenali, si dhe lojtarin e dytë më të paguar në Premier Ligë. Para tij qëndron vetëm Aleksis Sançez, i cili la Arsenali për Mançester Junajtidin gjatë kësaj merkatoje. Në “Old Trafford”, Sançez përfiton një rrogë shumë të majme, prej 400 mijë paundësh në javë. Ozil do të jetë i Arsenalit deri në vitin 2021 dhe rol kryesor në rinovimin e tij mësohet se ka luajtur transferimi i Obamejang.
Sulm i frikshëm
Me ardhjen e Mkitarian dhe Obamejang, Arsenali e ka përforcuar ndjeshëm repartin ofensiv. Obamejang njihet si një golashënues i lindur, ndërsa aftësitë i Mkitarian dihen nga të gjithë. Tashmë, me qëndrimin e Ozilit, Arsenali pritet të ketë një nga sulmet më të frikshme në Premier Ligë. Blerjet e reja të “Topçinjve” priten të lënë jashtë formacionit sulmuesin Lakazet, por Venger u shpreh se Arsenali mund të luajë edhe me dy sulmues.