Mjafton të jetë në formë dhe Shkëlzen Gashi di të bëhet protagonist. Sulmuesi shqiptar ishte vendimtar për Kolorado Rapids në fitoren 3-2 përballë Minesotas në elitën e futbollit amerikan, MLS.
Me dy pasimet vendimtarë për golat e dytë dhe të tretë, me të cilët skuadra e ish-lojtarit kuqezi përmbysi rezultatin në favor, 29-vjeçari fitoi me të drejtë vendin në formacionin më të mirë të javës në kampionat.
I aktivizuar nga stoli, Shkëlzen Gashi arriti të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes, ndërsa po tregon se pak nga pak po rigjen formën më të mirë. Sulmuesi ka vuajtur pas një periudhe të pafat, të shoqëruar me lëndime të shumta, ndërsa prej muajit prill ka nisur të aktivizohet te Kolorado kryesisht nga stoli, pasi qëndroi afro gjashtë muaj larg fushave.
Falë kualitetit të shqiptarit, Rapids regjistruan fitoren e parë pas 11 ndeshjeve mes kampionatit dhe Kupës. Edhe pse për momentin Kolorado renditet në vendin e parafundit në Konferencën e Perëndimit, në skuadër shpresojnë që me Gashin në superformë t’i afrohen garës për një vend në fazën “play-off”.