Vllaznia e ka nisur mbarë këtë sezon të ri. Fillimisht ajo fitore me festival golash në Kupën e Shqipërisë, që më pas u pasua me dy të tjera në Kategorinë Superiore. Shkodranët kanë treguar nivel të kënaqshëm në këto paraqitje të para dhe investimet e bëra duket se po shpërblejnë gjithçka në fushën e lojës.
Pas fitores së sotme një reagim ka ardhur edhe nga sponsori i klubit, Alban Xhaferi, i cili vlerëson forcën dhe dëshirën e treguar në ndeshjen e sotme, si dhe nuk harron të urojë lojtarët dhe stafin teknik për suksesin e deritanishëm. Xhafer premtoi në momentin e arritjes së marrëveshjes me Bashkinë Shkodër për të qenë sponsor i Vllaznisë për 5 vitet e ardhshme se me anë të një projekti do të rikthejë kuqeblutë në lavdinë e dikurshme, madje rezultatet e para do të shiheshin që në këtë sezon. Rruga e nisur duket e mbarë për momentin, megjithëse përpara i pret një sezon i gjatë dhe i lodhshëm./Halit Delibashi-Sport Ekspres/