Tre vjet më parë, Serbi-Shqipëri do të kthehej në një arenë ringu dhe lojtarët kuqezi rrezikuan edhe jetën, teksa u desh CAS i Lozanës që të mposhte verbërinë e UEFA-s. Droni ishte vetëm fitili i një dinamiti urrejtjeje
Anton Cicani
Nëse në Google klikoni Serbi-Shqipëri, atëherë sugjerimet me artikujt e lidhur me këtë temë ose fjalë “kyçe” janë të shumtë dhe thuajse të gjithë flasin për një rivalitet dhe urrejtje nacionaliste, teksa topi dhe futbolli vetëm sa “preken” tagjent. Dhe, ngjarja më e rëndësishme, e cila tashmë është pasuruar me kronikë dhe detaje edhe në Enciklopedinë e lundrimit në intenet, Wikipedia, është ajo e dronit të Beogradit, Ismail Morinës (Ballistit), sherrit në fushën e lojës, pushtimit të saj nga tifozeria serbe dhe Ivani i tmerrshëm, ose ndryshe Bogdanovi, por edhe flamuri që u mbrojt dhe arratisja e kuqezinjve teksa mbi kokat e tyre fluturonin sende të ndryshme. Emblematikë, sidomos, grushti i Canës karshi tifozit dhe stoli që goditi Balajn në kurriz…
Një ngjarje që shënoi pikun e krisjes së raporteve mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë, me kryeministrin Rama, që për pak sa nuk anuloi edhe vizitën e tij në Serbi, te homologu Vuçiç që e priste. Praktikisht, edhe politika pati një konflikt të gjërë, ndërsa për vite kanë vazhduar të ndikojnë batuta, por edhe diskutime në foltore, ngjarjet e asaj nate. Një ndeshje që u kthye në një emblemë.
Dhe fitorja e arritur në zyrat e CAS-it të Lozanës (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), pasi UEFA mbylli sy e veshë duke mos na dhënë pikët në tavolinë, është praktikisht epilogu i një ndeshje që zgjati plot 9 muaj. Në Beograd, askush nuk u kthye më dhe nga ajo ngjarje, tashmë që kanë kaluar plot 3 vjet, rikthehet të kumbojë tani, si një jehonë, duke qenë se një tjetër ekip shqiptar, Skënderbeu, do të zbresë sot në fushë.
I mbijetuari Shehi – Atë natë, në stadiumin “Hum” ishte edhe ai, Orges Shehi, portieri i Skënderbeut. Madje, në disa fotografi të atij momenti paniku, portieri shqiptar u pa edhe të ndërhynte duke mbrojtur flamurin e lidhur në dron, por edhe duke sfiduar me guxim dhe trimëri indinjatën e publikut vendas. Nëse e pyet, sigurisht, Gesi (kështu e thërrasin miqtë) nuk do të donte të fliste për atë natë, edhe pse ka raste kur ende e kujton, duke menduar se mund të kishte shkuar shumë më keq se sa aq… “Duhet të mendojmë për futboll, sepse na duhen pikët dhe vendoset fati i grupit”, shprehet portieri, por brenda tij, dëshira për hakmarrjen e madhe është më e ndezur se kurrë. Një fitore në Beograd do të kishte kënaqësi të shumëfishta: për fatin e grupit, për mrekullinë e mundshme, për shqiptarët, por edhe për vetë gardianin e portës, që është në sezonin e fundit të karrierës dhe këtë herë asgjë në botë nuk do t’i ndryshonte mendim.
Ngjarja – Por, çfarë ndodhi atë 14 tetor 2014? Duhet të ishte një ndeshje futbolli, e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2016 në Francë dhe Shqipëria, që vinte pas suksesit të arritur ndaj Portugalisë, por edhe barazimit ndaj Danimarkës në Elbasan. Në Beograd u ndalua transferta për tifozët kuqezi, teksa me ekuipazhin e skuadrës dhe stafit udhëtuan dhe thuajse 20 përfaqësues të medieve. Kombëtarja kuqezi e kuptoi se nuk do të ishte një ndeshje e lehtë dhe një atmosferë miqësore, sapo zbriti në fushën e blertë, për të bërë nxehjen. “Vdekje për shqiptarët!” dhe “Kosova është Shqipëri” ishin koret që u dëgjuan më së shumti, teksa pati edhe gura të vegjël të hedhur në fushë. Flamuri shqiptar që ndodhej përkrah atij të UEFA-s dhe Serbisë, u përgjysmua, pasi një pjesë u ngrit lart që të mos dukej. Dhe, i gjithë ky kuadër u plotësua nga një rrebesh vërshëllimash. Gjykonte anglezi Atkinson, teksa në stolin kuqezi drejtonte Xhani de Biazi. Që në minutat e para u dallua një farë ashpërsie në ndërhyrjet e përfaqësueses serbe, teksa arbitri Atkinson vijoi lojën duke mos marrë as masa ndëshkuese, si të verdha. Gjatë goditjes së këndit, në drejtim të Ansi Agollit u hodhën shumë sende dhe madje edhe flakadan, ndërsa fillimisht arbitri mendoi të ndërpriste takimin, por më pas ky hezitim u shua. Dhe, pikërisht në minutën e 42-të të takimit, ndodhi edhe ngjarja: teksa ishte gati të ekzekutohej një goditje nga këndi, një dron do të fluturonte mbi stadium, me një flamur. Fillimisht, serbët menduan se ishte diçka kundër Shqipërisë, por shumë shpejt panë se bëhej fjalë për flamurin kuqezi dhe dy heronj: Isa Boletini dhe Ismail Qemali.
Në atë moment, futbollisti Mitroviç u ngrit të kapte flamurin dhe ia arriti, por në atë moment në drejtim të tij shkuan si Taulant Xhaka, ashtu edhe Andi Lila, që ia morën nga duart. Menjëherë, Balaj vrapoi dhe kapi flamurin, teksa lojtarët serbë rrethuan Xhakën e Lilën. Aty, disa tifozë, duke u ikur me lehtësinë më të madhe rojeve të sigurisë, zbritën në fushë dhe vrapuan drejt Balajt për t’I marrë flamurin, por ky i fundit arriti t’ia jepte më pas arbitrit të katërt, ndërsa një nga huliganët serbë e goditi me stol në kurriz. Aty, arbitri Atkinson, duke mos pasur më situatën nën kontroll, urdhëroi të gjithë që të ktheheshin në dhomat e zhveshjes, teksa gjatë rrugës për aty, sende të ndryshme fluturuan mbi kokat e lojtarëve, por edhe një tifoz zbriti dhe u mundua të pengonte kuqezinjtë, totalisht të pambrojtur. Pas thuajse 20 minutash në dhomat e zhveshjes, dhe pasi u konsultua si me kapitenin Cana, ashtu edhe me Ivanoviç, vendosi të ndërpriste ndeshjen. Në fushë dolën vetëm futbollistët serbë, për të përshëndetur publikun. Thuajse 51 minutat e tjera, u luajtën në një sallë gjyqi, në CAS të Lozanës…
Nga fusha në gjyq –Dy javë pas ngjarjes, Komisioni i disiplinës në UEFA nuk i ka dhënë 3 pikët që Shqipëria shpresonte të merrte pas ngjarjeve të ndodhura në ndeshjen Serbi – Shqipëri që u ndërpre ne minutën e 42. Shqipëria e humbi ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 – 0 dhe Serbisë iu hoqën 3 pikë, duke u dënuar edhe dy ndeshje pa tifozë. Sakaq, të dy federatat u gjobitën me nga 100 mijë euro. Edhe Apeli hodhi poshtë kërkesën e FSHF-së për të kërkuar drejtësinë, e cila erdhi pas një beteje të gjatë në CAS të Lozanës, instanca më e lartë. Kështu, pas provave dhe rrëfimeve të ndryshme (Cana dhe De Biazi për Shqipërinë), por sidomos pas mbrojtjes së avokatit italian, Shqipëria do të fitonte drejtësinë më 10 korrik 2015, duke marrë 3 pikët në tavolinë. Një fitore që u festua në Shqipëri njësoj sikur të kishte ardhur në fushën e lojës. Në mediet serbe u shkrua për një padrejtësi dhe u akuzuan shqiptarët për lobim, por e vërteta ishte se atë mbrëmje, në Beograd, ndodhi diçka që me futbollin e luajtur nuk ka asnjë lidhje.