Rikthehet Lipi: Ronaldo te Juventusi? Më e thjeshtë se sa mendoni!

Ish-trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, foli për “Gazzeta dello Sport” në lidhje me botërorin që po zhvillohet në Rusi, por dhe mungesën e Italisë. “Nuk jam i surprizuar nga rezultatet e kupës së botës, pasi është një turne me shumë konkurrencë. Askush nuk e priste që Japonia të ishte një hap larg çerekfinaleve. Italia është rritur shumë dhe shpresojmë që të shkojmë në Katar pas 4 vitesh”, – u shpreh Lipi.

Ai flet dhe për uljen e diferencave në futboll. “Ju habiteni se si ekipet e vogla ecin kaq mirë, por harroni se 15-16 lojtarë prej këtyre skuadrave luajnë në Angli, Spanjë, Itali dhe mësohen me një stil loje të përparuar dhe marrin metoda të mira. Italia mund të bënte më mirë me Suedinë. Në 90 vite kemi dështuar 2 herë për t’u kualifikuar, por nga krahu tjetër kemi fituar 4 herë Kupën e Botës. Për të ardhmen kemi lojtarë dhe të mirë, por dhe njerëz si trajneri Mançini që mund të bëjnë mirë”, – u shpreh ish-kampioni i botës në vitin 2006.

Ndër të tjera, Lipi analizoi gjatë dhe kupën e botës nga ndeshjet çerekfinale e deri te trajneri i Uruguait, Tabarez. Tekniku u ndal te një moment mjaft interesant, kalimi i mundshëm i Ronaldos te Juventusi. “Shifrat janë të çmendura, por deri në një pikë të caktuar. Ka lojtarë që janë vlerësuar më shumë kohët e fundit. E dimë se nuk i paguan të gjitha klubi, pasi janë sponsorë, marketingu, etj. Mendoj se për aspektin ekonomik është më e thjeshtë se sa mendoni. Dëshira për të fituar Championsin duket e madhe, Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm që shënon shumë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *