Koreja e Jugut është një nga shtetet e para që jep dritën jeshile për rifillimin e kampionatit. Pandemia Covid-19 është menazhuar mjaft mirë prej tyre, duke qenë një nga modelet më të suksesshme në botë. Në një intervistë për “Tuttomercatoëeb“ ka folur edhe kapiteni i kampionëve të K League 1, ekipit Seoul. Osmar Ibanez ka treguar se nuk e kanë përjetuar aq keq psikologjikisht këtë situatë, pasi qeveria koreane kurrë nuk i ka kufizuar shumë nga jeta normale, madje thekson se është stërvitur rregullisht.
Ndërkohë sa i përket rifillimit të kampionatit, Ibanez bën me dije se janë disa rregulla që duhen ndjekur. Përpos faktit se nuk lejohet shkëmbimi i duarve dhe stadiumet do të jenë pa tifozë, heshtja do të mbizotërojë edhe brenda fushës. Kjo pasi vlen një masë e tillë që i ndalon lojtarët dhe trajnerin të flasin me personat që janë afër tyre gjatë ndeshjes. Në rast se një futbollist rezulton pozitiv, atëherë ai së bashku me gjithë klubin do të izolohen dhe ndeshjet do të rekuperohen më vonë.
“Ne kemi përjetuar, si gjithë të tjerët, një periudhë të ndërlikuar, por në të njëjtën kohë kemi pasur fatin ta kalojmë në Seul, në një vend që iu përgjigj shumë mirë urgjencës së Koronavirusit. Le të themi se këtu në Kore jemi ndjerë më pak të shqetësuar se shumë vende të tjera. Asnjëherë nuk ka pasur një karantinë të detyrueshme dhe unë, personalisht, kam qenë në gjendje të vazhdoj stërvitjen normalisht.
Kampionati do të nisë zyrtarisht në 8 maj. Janë identifikuar masa të cilat jo vetëm që do të na lejojnë të kthehemi në lojë, por edhe të mbrohet shëndeti i njerëzve. Ndeshjet, para së gjithash, do të jenë pas dyerve të mbyllura. Pastaj do të ketë një seri të gjatë rregullash që duhen respektuar, të cilat tek ne tashmë janë paraqitur pjesërisht. Është menduar për ndalimin e të folurit në fushë, si në mes lojtarëve, ashtu edhe midis lojtarëve dhe trajnerit ose midis lojtarëve dhe gjyqtarit. Do të jetë gjithashtu e ndaluar të shtrëngojmë duart para dhe pas ndeshjes.
Nëse një lojtar rezulton pozitiv? Futbollisti pozitiv dhe skuadra e tij do të izolohen menjëherë dhe do të vëzhgohen një periudhë të caktuar izolimi, me ndeshjet përkatëse që si pasojë do të shtyhen dhe rikuperohen më vonë”, ka deklaruar Osmar Ibanez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/