Rifillon kampionati i femrave/ Ja kalendari i javës së 11-të, spikat Tirana–Apolonia

Kampionati Kombëtar i femrave do të rikthehet sërish nga kjo e shtunë, pas shkëputjes disa javore për shkak të pushimeve të dimrit dhe të kompeticionit të Kupës së Shqipërisë, që u zhvillua përgjatë muajit janar dhe ku janë përcaktuar tashmë edhe dy skuadrat finaliste, Vllaznia dhe Tirana.

Fundjava do të presë 5 ndeshjet e javës së 11-të, ku spikat ndeshja Tirana – Apolonia, dy skuadrat që renditen në vendin e dytë dhe të tretë në klasifikim dhe që kanë bërë një garë mjaft të fortë deri më tani, me bardheblutë që numërojnë 9 fitore dhe një humbje, ndërsa fieraket 9 fitore dhe një barazim. Sfida do të luhet në kryeqytet duke nisur nga ora 14:00 në kompleksin “Skënder Halili”.

Paraditen e së shtunës, do të luhen dy sfida, Partizani – Atletik Club, me kryeqytetaset që renditen në vendin e katërt në klasifikim dhe do të tentojnë të ruajnë pozitat dhe shkodranet që janë në vendin e shtatë me 10 pikë të grumbulluara në 10 javë kampionat. Sfida nis nga ora 10:00 e së shtunës.

Sakaq, në ora 10:30 luhet një tjetër sfidë, mes Murlani – Tirana AS , një ndeshje ku shkodranet janë më të favorizuara, duke parë edhe kampionatin e zhvilluar deri më tani nga këto dy skuadra.

Drejt Korçës do të udhëtojë një tjetër ekip shkodran, Vllaznia, që do të përballet me ekipin e Skënderbeut, një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit. Ndeshja nis nga ora 12:00 në qytetin juglindor të Korçës. Sakaq, Teuta do të presë në shtëpi ekipin e Kinostudios, në një sfidë delikate për të dyja skuadrat, që do të nisë nga ora 13:00.

E shtunë/ Partizani – Atletik Club ora 10:00

E shtunë/ Murlani – Tirana AS ora 10:30

E shtunë/ Skënderbeu – Vllaznia ora 12:00

E shtunë/ Teuta – Kinostudio ora 13:00

E shtunë/ Tirana – Apolonia ora 14:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *