“Rezultatet pozitive të Kombëtareve të moshave në qershor na japin besim për të ardhmen”

Të gjitha ekipet Kombëtare të moshave që nga ajo U-15 e deri te U-19 kanë qenë të impenjuara gjatë muajit qershor në disa miqësore ndërkombëtare dhe bilanci i rezultateve ka qenë pozitiv. Përveç rezultateve edhe loja e skuadrave kuqezi ka qenë mjaft e mirë, duke konfirmuar rritjen graduale të moshave.

Rezultate dhe paraqitje që sipas Drejtorit Teknik i FSHF-së,  Fulvio Pea japin besim për punën në të ardhmen, ndërkohë që thekson se duhet punuar shumë në bazë për të rritur akoma më shumë cilësinë e lojtarëve që përzgjidhen nga ekipet rajonale.

“Ka qenë një muaj i kënaqshëm për ekipet kombëtare duke parë katër fitoret, dy barazime dhe vetëm një humbje e Kombëtares U-15 dhe nëse i shtojmë edhe dy fitoret e shkëlqyera e entuziaste të Kombëtares A, mund të them se qershori ishte interesant.

Interesant nga këndvështrimi im, sepse është baza mbi të cilin trajnerët dhe stafet teknike kanë nisur një rrugëtim të ri dhe këto rezultate na japin besim për punën në të ardhmen. Një ardhme jo e largët, madje shumë e afërt, duke qenë se shumë shpejt do të rinisin nga puna shoqatat rajonale, dhe që aty më pas do të përzgjedhim lojtarët që do të bëjnë pjesë në ekipet përfaqësuese rajonale, që janë dhe do të jenë bazë e Kombëtares U-15 në të ardhmen. Kështu që në pikëpamjen teknike po punojmë shumë, më pas shpresojmë që ky muaj të jetë i rëndësishëm edhe për ata që na ndjekin nga jashtë dhe për ata që duhet të bashkëpunojnë me të gjitha mundësitë, forcat dhe energjitë”, – thotë Pea në një prononcim për Fshf.org.

Për Drejtorin Teknik të FSHF-së puna me fëmijët që bëhet në shoqatat rajonale është shumë e rëndësishme për të përgatitur talentet që mund të bëhen pjesë e ekipeve kombëtares dhe për këtë arsye janë krijuar edhe dy ekipe përfaqësuese të rajonaleve për moshat U-13 dhe U-14 në mënyrë që të përgatiten sa më mirë lojtarët e të ardhmes.

“Së shpejti nis programi në shoqatat rajonale, që do të kenë tre trajnerë dhe mbi të gjitha risia është prezenca e një drejtori teknik, i cili do të bashkëpunojë çdo muaj me trajnerët tanë të ekipeve kombëtare për të zhvilluar në program teknik. Më pas do të nisim seleksionimet për të zgjedhur ata lojtarë të cilët do të marrin pjesë në këtë projekt, që e përsëris është shumë i rëndësishëm, sepse do të bëjmë seleksionimet e para duke krijuar ekipin e përfaqësueseve rajonale U-13 dhe U-14 në Shtëpinë e Futbollit për të nisur krijimin e skuadrave tona të ardhme kombëtare. Objektivi është të përgatisim lojtarë për të ardhmen për Kombëtaren A”, – shtoi Pea, i cili foli edhe për projektin që nis në gusht për të zhvilluar dy herë në javë stazhe stërvitore me lojtarët të cilët janë pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave e që jetojnë në Shqipëri.

“Në gusht nis edhe projekti “Step by step” që do të angazhojë të gjithë lojtarët të cilët jetojnë në Shqipëri e që janë pjesë e ekipeve tona kombëtare nga U-15 e deri te U-19. Dy ditë në javë do të jenë këtu në qendrën tonë së bashku me katër trajnerët dhe do të punojnë në aspektin teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual. Aty do të përpiqemi të specializojmë lojtarët tanë në role të ndryshme. Më pas do të punojmë me ato kritere që trajneri i Kombëtares A kërkon për çdo lojtar”, – u shpreh Drejtori Teknik i FSHF-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *