Prej sezonit të ardhshëm pritet ndryshimi i madh: nuk ka më dy grupe dhe brenda pak vitesh numri i skuadrave do të ulet ndjeshëm, deri në 14
Në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë eksperimentuar jo pak këto vitet e fundit, por nëse Kategoria Superiore ka gjetur ekuilibër me 10 ekipe, duke lënë shumë pak shtigje për ndere, trukime e lëshime, në Kategorinë e Parë ende nuk është gjetur skema e duhur. Edhe kampionati me dy grupe, me nga 10 ekipe, ka krijuar shumë probleme. Së pari, në Superiore shkon vetëm fituesi i secilit grup dhe ka raste, si këtë vit, që disa ekipe janë tepër Superiore. Tirana e Kastrioti e vranë kampionatin pa nisur mirë faza play-off, ndaj shumë ndeshje nga marsi e tutje luheshin për qejf, ose për kunj me njëri-tjetrin, për shkak të inateve të vjetra apo afërsisë gjeografike. Edhe në zonën play-out, ku u duk se do të bëhej futboll i vërtetë deri në fund, ka ndodhur e kundërta, sepse ekipe si Shënkolli e disa të tjerë e siguruan lehtësisht mbijetesën dhe kishte ndeshje që luheshin pa asnjë objektiv.
IDEJA REVOLUCIONARE – Në bazë të rregullores, skema nuk mund të ndryshojë pak muaj para sezonit të ri, por ato që kanë ndodhur këtë sezon në Kategorinë e Parë bëjnë të detyruar dy gjëra: bashkimin e kampionatit për të ulur hatërmbetjet dhe ankesat për ndarjen, si dhe ulja e numrit të skuadrave pjesëmarrëse. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sepse kemi parë qartë edhe këtë sezon që disa klube kanë financa e infrastrukturë dhe disa të tjerë thjesht zvarriten në pritje të fundit të sezonit. Sapo të mbyllet sezoni aktual, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së do t’i paraqitet një projekt-draft nga Komisioni i Ligës, që ka për kryetar Edvin Libohovën dhe bien në sy në anëtarësi emra si Lysien Nurishmi e Arbi Laçi, pra një mik mes punonjësve të FSHF-së dhe përfaqësuesve të klubeve. Projekti parashikon bashkimin e dy grupeve dhe ndërtimin e një kategorie me 20 ose 18 skuadra për sezonin 2018/19. Prej këtu, do të ketë 3-4 rënie direkte nga kategoria për dy vite rresht, derisa Kategoria e Parë të përbëhet nga 14 ekipe, që do të jetë numri final.
SKEMA – Me shumë gjasa Elbasani dhe Vora do të ngjiten në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm, por Komisioni i Licencimit të klubeve këtë verë do të duhet të punojë shumë dhe do të vendosen rregulla shumë më strikte se në të shkuarën. Kjo do të thotë që disa klube rrezikojnë shumë, sepse si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në atë financiar, çdo verë FSHF toleron e mbyll njërin sy, duke e parë sa e vështirë është për klubet që të jenë në rregull me detyrimet e licencimit. Këtë radhë me shumë gjasa do ta pësojnë disa klube, por ndërkohë është ende pezull Shkumbini, sepse nuk dihet a është mbyllur plotësisht historia e një futbollisti argjentinas për të cilin klubi peqinas u dënua me 3 pikë minus në renditje dhe nuk është çudi që të përjashtohet nga Kategoria e Parë. 18 ekipet do të vijojnë rrugëtimin me 34 javë në total, me dy ekipet e kreut që do të shkojnë në Superiore, ndërsa 4 të fundit do të zbresin në Kategorinë e Dytë, prej ku do të vijnë vetëm 2 ekipe. Kjo do të bëjë që brenda dy sezonesh Kategoria e Parë të përbëhet nga vetëm 14 ekipe, më cilësoret dhe më të fuqishmit financiarisht.