Kjo periudhë e ndërprerjes së kampionateve të Europës ka sjellë edhe pasojat e veta në aspektet financiare, ndërsa Federatat përkatëse po mendojnë për mënyrat si të shpëtojnë sezonin. Nga mundësia e play-off, ngrirja e renditjes aktuale dhe në skenarin më të keq, atë të shpalljes të pavlefshëm të kampionatit. Por një ide ndryshe vjen nga presidenti i klubit të Nicës, i cili kërkon një ndryshim tërësor të periudhës kur europianët janë mësuar të ndjekin skuadrat e tyre të zemrës.
Jean Pierre Riviere propozon një revolucion në kalendar, duke hedhur hipotezën e fillimit të sezonit në muajin shkurt, për ta mbyllur më pas në fund të tetorit. Sipas tij një ndryshim i tillë i shkon për shtat edhe kohës kur Botërori i vitit 2022 në Katar do të zhvillohet, i cili nis më 21 nëntor e përfundon në datën 18 të dhjetorit. Megjithatë në fund do të jetë UEFA ajo që do të thotë fjalën e fundit sa i përket mbarëvajtjes së sezonit dhe kalendarin që kampionatet europiane do të zbatojnë.
“Sigurisht, të gjithë ne duam ta përfundojmë sezonin sa më shpejt që të jetë e mundur, por çfarë nëse nuk mundemi? Përtej këtij sezoni aktual, le të përpiqemi t’i shohim tre sezonet e ardhshme në mënyrë koherente. Në vitin 2022 do të zhvillohet Kupa e Botës në Katar nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor.
Ideja ime është që ky turne të jetë planifikuar vetëm në mënyrën se si të përshtatemi dhe bazuar në problemet me të cilat ballafaqohemi sot. Sezonin tjetër e fillojmë në shkurt. Atëherë ne mund të integronim qershorin e ardhshëm dhe të përfundojmë sezonin tjetër përsëri në fund të tetorit .Në vitin 2022 do të bënim një pushim të shkurtër në gusht dhe më pas do ta përsërisim këtë formulë përsëri për të luajtur Kupën e Botës me qetësi”, tha presidenti i Nice, Rivere./Sport Ekspres/