Ekipi i Bylisit vazhdon të jetë supriza e bukur e këtij kampionati, duke shënuar 5 gola përballë Flamurtarit. Paraqitje të tilla janë për t’u vlerësuar maksimalisht, duke e bëre ekipin ballshiot të ngjasojë me përrallën Leiçester që fitoi përpara disa sezonesh “Premier League”. Pikërisht ekipin që pritej të luftonte në fundin e tabelës, por askush nuk po e besonte edhe me kalimin e javëve, derisa po mbërrinin ndeshjet e fundit dhe Ranieri e gjeti veten duke diskutuar vendin e parë.
Sigurisht që po flasim për ekipin më surprizues për mirë, pasi skuadra tjetër ekstreme gjendej po në atë fushë. Flamurtari vijon të jetë skuadra më e dobët e momentit, duke qenë një zhgënjim i madh i këtij kampionati, duke marrë vetëm një pikë në gjashtë ndeshje. Kukësi bën një hap të gabuar ndaj Teutës në një ndeshje direkte, për të treguar se nuk ka qendrueshmëri në rezultate. Nga një fitore e madhe në një zhgënjim të madh, kjo u përsërit sërish te verilindorët dhe nuk mund të jetë kjo rruga për t’u shpallur kampion. /Sport Ekspres/