Rekordmeni i futbollit të Shqipërisë, Elvis Sina bëhet gati për Superligën

“Sina, nga e djathta. Gjithmonë ai, krosimiiiii dhe topi i dërguar në rrjetë. Tirana në avantazh.” Sa e sa herë e kemi dëgjuar këtë fjali nëpër transmetimet e ndeshjeve të Tiranës në vitet e shkuara. Bëhet fjalë për Elvis Sinën, ish-mbrojtësi i djathtë i cili bëri epokë në kampionatin shqiptar duke filluar aktivitetin e tij sportiv që nga viti 1996 e për të përfunduar në vitin 2014. Një karrierë 18-vjeçare ku vetëm dy sezone 2006-07 (Elbasani) dhe 2008-09 (Dinamo) i kaloi jashtë ekipit të tij të zemrës, Tiranes.

Sina arriti të luante në karrierën e tij mbi 500 ndeshje në futbollin shqiptar. Gjithashtu ai është edhe futbollisti më i titulluar në histori duke numëruar 6 kampionate, 6 kupa të Shqipërisë, 9 Superkupa (1 me Dinamon). Duke u shndërruar kështu në një ndër legjendat e padiskutueshme të futbollit bardheblu, por edhe atij shqiptar. Ish-mbrojtësi ishte padiskutim një nga figurat qëndrore të Tiranes së viteve 2000 që dominonte futbollin shqiptar. E sot ndërsa vitet kalojnë, dashuria për futbollin nuk shuhet kurrë për Sinen. 41-vjeçari pas një roli si drejtor akademie te klubi i Tiranes, tashmë kërkon lavdinë dhe suksesin si një trajner. Së fundmi, ish-numri 2 është pajisur me licensën e Uefa Pro të trajnerit.

Sina aktualisht është pjesë e kombëtares U-17 në rolin e zëvendës trajnerit si edhe trajner i parë i kombëtares U-16. Por patjetër që ambicia e tij është më e madhe se kaq. Me shumë mundësi, Elvis Sinen do e shohim së shpejti në drejtimin e një ekipi të parë. Duke parë karrierën e tij brilante dhe mënyrën si e merrte krahun në fushë, rekordmenin shqiptar duket se nuk e tremb asnjë aventurë e re në jetën e tij. Tani na mbetet vetëm të presim që futbollit shqiptar ti shtohet një trajner nga plejada e shkëlqyer e futbollistëve të vitive 2000. /Endri Cinari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *