E rrallë për një fazë te matjanët. Largohen 15 lojtarë dhe vijnë 16 të tjerë!
Gjatë seleksionit të lojtarëve, trajneri i Burrelit ka larguar nga skuadra matjane lojtarët: Hysa, Pashaj, Polisi, Shahini, Kurbneshi, Farruku, Kaloshi, Lamptey, Ogbejesi, Mema, Lekgega, Livadhi, Çupi, Gjonpalaj, Lika. Pra, 15 lojtarë që ishin federuar nga ish-trajneri Shahin Berberi në fillim të sezonit futbollistik 2017-2018. Dje në “Liri Ballabani” teknikët Julian Ahmataj, Akil Jakupi e Besnik Beqiri përveç lojtarëve të fazës së parë si: Hila, Ibrahimllari, Mallunxa, Ujkaj, Xhuveli e Stana, kanë federuar 16 lojtarë të rinj.
Ata janë Levendi, Salaj, Peçi, Beçka, Zhuka, Selaci, Fejzaj, Osmanllari, Ivani, Hasa, Simonov, Mëllugja, Dervishi, Bërdufi, Danaj e Përgjoni. Në fillim të seancës stërvitore trajneri Ahmataj u tha futbollistëve se kërkohet maksimumi në përballjen me Besëlidhjen. “Kërkohet lojë korrekte nga të gjithë lojtarët. Secili të zbatojë detyrat e ngarkuara. Duhet të synojmë zotërimin e gjithë fushës dhe loja duhet të ketë theks sulmues. Ne kemi tashmë në dispozicion lojtarë cilësorë dhe të aftë të arrijnë rezultate pozitive. Para tifozëve matjanë ne do të luajmë një ndeshje të fortë dhe të bukur. Duhet vullnet, këmbëngulje, bashkëpunim për të arritur objektivin”, theksoi trajneri burrelas. Pas porosive të Ahmatajt, ekipi ka vijuar stërvitjen e parë në prani të tifozëve matjanë për këtë vit. Madje këto të fundit kërkuan edhe një herë që skuadra të rikthehet në vendlindje për të zhvilluar stërvitjen.
Formacioni i mundshëm: Selaci, Salaj, Leventi, Pergjoni, Ujkaj, Osmanllari, Beçka Mëllugja, Fejzaj, Simonov, Stana. Trajner: J. Ahmataj.