Ndoshta mund të ketë pasur ndonjë precedent të ngjashëm, por zor se e gjen dot ndokush: 7 gola shqiptarë në një ndeshje, për një ekip… jashtë Shqipërie!
A mund të ndodhë? Ka ndodhur sot, në Zvicër. Luhej ndeshja e Kupës së Zvicrës, për 1/32-tat, mes Romontoua dhe Grasshopers.
Grasshopers ka në gjirin e vet të paktën 7 lojtarë shqiptarë, sepse ka edhe tek ekipet e moshave të tjerë që herët a vonë do të debutojnë në ekipin e parë.
Sot zbritën në fushë thuajse të gjithë dhe dhanë një kontribut të pabesueshëm në fitoren e parë të sezonit, 10-0 në transfertë ndaj rivalit modest.
E hapi serinë e golave Valon Fazliu në minutën e 20-të, sulmues 21-vjeçar lindur në Zyrih. Vetë Fazliu shënoi edhe në minutën e 42-të dhe më pas në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, duke e mbyllur pjesën e parë me 3 gola personalë, ndërsa Grasshopers shkonte në pushim në avantazh 5-0, sepse shënoi 2 gola mesfushori sllovak Mihal Fashko.
Në pjesën e dytë vazhdoi spektakli shqiptar, sepse Albion Avdijaj shënoi golin e tij të parë me ekipin e tij të ri, ndërsa 3 golat e fundit të ndeshjes i shënoi sulmuesi Florian Kamberi, i kthyer pas huazimit për një sezon te Karlsruhe në Bundesligën 2 gjermane.