Rekord faullesh, Duro: Gjykimi nuk ishte në rregull

Shpëtim Duro nuk është marrë shumë me barazimin në Shkodër, edhe pse do të dëshironte fitoren, sa është marrë me gjykimin e ndeshjes. Trajneri i Flamurtarit ka theksuar atë që në fakt ra në sy edhe duke e parë ndeshjen në televizion, sepse në Shkodër pati një rekord faullesh të fishkëllyer nga arbitri, thuajse 50 të tillë, në një kohë që shumë prej tyre mund të edhe të konsideroheshin si lojë normale, ose të lejohej avantazhi.

“Ishte një ndeshje në transfertë dhe me Vllazninë, me lojtarë cilësorë. Do të isha i kënaqur para ndeshjes, por tani them se duhet të fitonim 3 pikët. Nuk kam qejf të merrem me gjykimin, por është e dukshme gjithçka. Si në Durrës, ashtu edhe tani, gjykimi na dëmton. Sot gjyqtari ka dhënë mbi 30 faulle kundër nesh. Rasti i penalltisë është i diskutueshëm, pasi është jashtë zonës. Në pjesën e dytë skuadra tregoi karakter, dominoi, duhej të kishim shënuar. Gjykimi na e ndërpreu shumë herë lojën”.

Natyrisht, në Supersport Duro është ngacmuar për polemikën me Danilo Alvesh: “Alvesh luajti një ndeshje shumë të mirë. Unë jam ai që jam. Sot e falënderoj për atë që dha në fushë. Lojtari, pas asaj që ndodhi, më ka dërguar një mesazh, më ka kërkuar falje. Zhufo? Është lojtar i mirë, por përshtatja me futbollin shqiptar nuk është shumë e shpejtë. U gjendëm të papërgatitur në fundin e pjesës  së parë. Skuadra nuk u demoralizua dhe kontrolloi lojën në pjesën e dytë. Vllaznia mori pak terren, por nuk kishte rrezikshmëri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *