Reja i bashkohet fushatës së UEFA-s: Bëni shumë aktivitet fizik, larg alkoolit & duhanit!

Edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, i është bashkuar fushatës së UEFA-s “Coaches for Health – Feel Well, Play Well” (Fushata e trajnerëve për shëndetin – Ndjehu mirë, luaj mirë) së bashku me trajnerët e ekipeve kombëtare të 55 federatave anëtare të UEFA-s. Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin te të rinjtë për përfitimet e të bërit aktivitet fizik, konsumimi i ushqimit të shëndetshëm dhe rëndësinë e shëndetit mendor.

Në video-mesazhin e dhënë për këtë fushatë të UEFA-s, tekniku italian u bën thirrje të rinjve që të bëjnë një jetë të shëndetshme plot me aktivitet fizik, të evitojnë alkoolin dhe duhanin, si edhe t’i drejtohen një specialisti nëse kanë probleme më shëndetin mendor.

Për me tepër Reja jep shembullin e tij se si arrin të mbajë një formë fizike e mendore të mirë, duke bërë një jetë të rregullt dhe aktive.

“Kam kërkuar gjithmonë të mbaj formën fizike. Nuk mund të rri dot asnjë ditë pa bërë diçka. Kohët e fundit sigurisht që preferoj biçikletën. Është shumë e rëndësishme të evitohet përdorimi i alkoolit. Mënyra e të ushqyerit është shumë e rëndësishme dhe mbi të gjitha aktiviteti fizik. Një njeri nëse është në gjendje fizike të mirë, duhet të bëjë gjithmonë aktivitet fizik. Unë jam 76 vjeç dhe ndihem akoma i ri, sepse kam bërë gjithmonë një jetë shumë të rregullt.

Përsa i përket gjendjes mendore, që është thelbësore përtej gjendjes fizike, duhet të jetë gjithmonë në plan të parë, sepse është mendja ajo që të bën të lëvizësh. Nëse ke probleme duhet të flasësh me familjen pikësëpari. Gjithashtu, duhet të flitet edhe me një psikolog duke qenë se mund të të japin edhe ndihmë në këtë aspekt. Kur je i shëndetshëm fizikisht, je i shëndoshë dhe mendërisht!”, – thotë Edy Reja në mesazhin e tij.

Shëndeti dhe mirëqenia janë thelbësore për sportin dhe UEFA promovon përfitimet dhe rëndësinë e ndjekjes së një stili jetese aktive dhe të shëndetshme, duke luajtur futboll.

UEFA është e bindur se popullariteti dhe ndikimi i madh i futbollit sjell një përgjegjësi që organi drejtues i sportit në Europë nuk mund ta injorojë: të shërbejë si model dhe një zë i fuqishëm për ndryshime pozitive për çështjet globale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *