Shqipëria barazoi me rezultatin 2-2 ndaj Andorrës. Një rezultat zhgënjyes ky për kuqezinjtë, por edhe stadiumi nuk ishte mbushur aqsa edhe pritej, pasi e gjithë vëmendja ishte te përballja me Francën. Balaj dhe Manaj ishin autorët e golave, që nuk mjaftuan për të dalë me tre pikët nga kjo përballje.
Në përfundimin e takimit trajneri Reja është shprehur për “Supersport” se ekipi u tregua mëndjelehtë dhe ndikoi shumë presioni te futbollistët e Kombëtares. “Nuk e nisëm me këmbë të mbarë ndeshjen. Prisja më shumë dhe nuk më pëlqeu qendrimi i ekipit në fushë. Sot u treguam pak mëndjelehtë dhe na vuri në vështirësi ana mendore. Në përgjithësi në kohët e fundit kemi bërë më mirë. Ishim shumë të lexueshëm nga kundërshtari dhe e dinim këtë situatë.
Gjasula ishte i skualifikuar, Bare me një karton do të skualifikohej për Francën dhe kisha disa zgjedhje të limituara. Ajo që më shqetësoi ishte manovra në fushë dhe doja pak më tepër nga skuadra. Gjëja e parë që bëra kur u grumbulla ekipi ishte të vendosja pikat mbi “I”, megjithëse nuk shkoi ashtu siç e kërkuam”, ka thënë Reja. /Sport Ekspres/