Rei Manaj është një temë e nxehtë diskutimi në Turqi. Emri i tij është lakuar shpesh në media për një transferim të mundshëm këtë verë. Së fundmi u bë e ditur se Trabzonspori kishte ofruar 4 milionë euro dhe dy lojtarë në shkëmbim për kartonin e sulmuesit shqiptar. Por këto lajme janë hedhur poshtë nga vetë Sivaspori. Klub turk ka bërë një deklaratë zyrtare për të informuar opinionin sportiv se nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare për transferimin e Rei Manajt.
“Për shkak të lajmeve të rreme që janë publikuar së fundmi në shtyp dhe në rrjetet sociale rreth transferimit të futbollistit tonë, Rei Manajt, është bërë e nevojshme të informojmë komunitetin tonë dhe publikun. Nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare për transferimin e Rei Manajt nga asnjë klub. I kërkojmë tifozëve dhe komunitetit të sportit që të besojë vetëm deklaratat e bëra përmes kanaleve tona zyrtare. Njofton me respekt publikun, bordi drejtues i Sivasporit”, është shkruar në deklaratën e klubit Sivaspor./Halit Delibashi-Sport Ekspres/