Padyshim që Emanuel Egbo është një prej personazheve të vitit në futbollin e Shqipërisë. Gjithçka kulmoi me fitimin e titullit kampion me Tiranën, duke i hequr urinë e madhe bardhebluve dhe njëkohësisht duke i dhënë dhuratën më të bukur për 100-vjetorin.
Gjatë një intervistë të dhënë për “Ora Sport”, ish-tekniku i bardhebluve ka bërë edhe një analizë të situatës mbi formën që po kalon Tirana. Kur është pyetur për një ndarje të personazheve se kush do të shkojë në purgator për t’u pastruar dhe kush do të shkojë menjëherë në parajsë, Egbo i ka idetë e qartë për dy presidentët e klubeve që ka qenë pjesë më parë.
“Bashkë me karrierën time si futbollist, si portier, si trajner mendoj se ky është viti më i suksesshëm në karrierën time sportive. Duhet të falenderoj Zotin lart që të jep këtë mundësi, këtë pasion, këtë vullnet që kam patur vjet për të fituar kampionatin shqiptar në 100-vjetorin e klubit.
Është një arritje e madhe dhe nuk e kisha fare në mendje se do isha unë trajneri i parë afrikan apo nigerian që do të fitojë një kampionat në Europë. Ishte një qershi si tortë në fund për të shijuar suksesin dhe ka qenë një sukses aq i madh sa nuk e kam pritur. Dhe falenderoj të gjithë personat që kanë qenë pjesë e këtij suksesi.
Tirana me Deden? Kam parë disa ndeshje. Nuk është sa lojtarë ke, por si ti menaxhosh ata lojtarë që ke. Si të dish të përdorësh atë lojtar që ke për të marrë rezultatin e duhur. Tirana është kampione në fuqi dhe është një nga pretendentet për të fituar titullin kampion. Edhe Kukësi nuk filloi mirë pasi kishte disa ndryshime, kishte blerje të reja dhe do kohën e vet. Problematika që ka patur gjithmonë Tirana është se nuk mund të krahasohet me ekipet e tjera. Tirana nuk është si Kukësi apo si ndonjë ekip tjetër. Tirana është ekip kampion. Ka mentalitet tjetër nga gjithë klubet në kampionatin shqiptar.
Ku do i çonte Zoti i Egbosë personazhet e mëposhtme, në parajsë në purgator apo në ferr?
Erion Xhafa – Në purgator
Refik Halili? Edhe ai duhet të shkoj në purgator se secili prej nesh e ka një mëkat.
Kapllanaj, presidenti i Bylis? Ai është presidenti i parë që më dha mundësinë e të qënurit trajner. Unë kam punuar në Ballsh për 7-8 vjet. 3-4 vjet si futbollist dhe aty e kam mbyllur dhe karrierën. Është afër parajsës (qesh).