Redaktori i France Football tregon pse Vinicius Junior nuk e fitoi Topin e Artë: Për shkakun e Carvajal dhe Bellingham

Çmimin individual më prestigjioz në botën e futbollit e ka fituar mbrëmjen e djeshme lojtari spanjoll dhe mesfushori i Manchester Cityt, Rodri. Shumë menduan se këtë çmim do ta fitonte Vinicius Junior, por kjo nuk ndodhi dhe ai përfundoi i dyti në renditje.

Real Madridi ishte i ofenduar dukshëm nga kjo kthesë e ngjarjeve, kështu që askush nga ky klub nuk ishte në ceremoni. Drejtuesit e France Football u zotuan për të shpjeguar pse braziliani nuk e fitoi këtë çmim. Vincent Garcia, redaktor i France Football, beson se për shkak të Bellingham dhe Carvajal Vini Jr nuk fitoi.

“Vinicius vuajti sepse në pesëshen e parë janë edhe Bellingham dhe Carvajal. Matematikisht kështu humbi disa pikë. Megjithatë, kjo pasqyron edhe sezonin e mirë të Real Madridit, prandaj votat u ndanë në tre ose katër lojtarë të tyre dhe Rodri gjithashtu përfitoi nga gjithçka”, theksoi Garcia.

“Isha nën një presion të madh nga Real Madridi, por, si me klubet e tjera, kam qenë gjithmonë i drejtë, i sinqertë dhe ndoshta heshtja i bëri ata të merrnin këtë vendim. Mungesa e tyre ishte një surprizë e pakëndshme”, përfundoi Garcia. /Sport Ekspres/